Ekonomia, Eurozona ende e brishtë

04/11/2014 00:00

Komisioni Europian rishikoi parashikimet për gjendjen e ekonomisë së monedhës së përbashkët duke i ulur ato.

Sipas parashikimeve për vitin 2014 do ketë një rritje prej 0.8 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendeve të Euros dhe 1.1 përqind për vitin e ardhshëm, ndërsa për 2016 parashikimet ndalen në 1.7 përqind.

Në rishikimin e KE-së bien në sy ulja e parashikimeve për ekonominë gjermane, e konsideruar lokomotiva e ekonomisë së përbashkët europiane. Sipas parashikimit, për këtë vit ekonomia më e madhe europiane do të rritet me 1.3 përqind, ndërsa në vitin 2015 me 1.1 për t’u ndalur në 1.8 përqind në vitin 2016.

Për Francën, ekonominë e dytë më të madhe të Eurozonës, rritja ekonomike për këtë vit është e papërfillshme, ndërsa për 2015 pretendohet kapja e 1.5 përqindëshit.

Inflacioni në zonën Euro parashikohet të ndalet në 0.5 përqind për këtë vit, 0.8 përqind vitin e ardhshëm dhe 1.5 përqind për 2016-ën.

Ekonomitë me ecuri pozitive janë ato të Europë Veriore, ndërkohë që ekonomia italiane pëson tkurrje të saj dhe parashikimet nuk janë pozitive as për vitin e ardhshëm. Niveli i borxheve të ekonomisë së tretë të Eurozonës ka kapur nivelet rekord prej 133 përqind dhe vendi është duke marrë masat për uljen e borxhit.

Masat shtrënguese kanë dhënë rezultat në Greqi, ekonomia e së cilës, sipas KE-së, ka lënë reçesionin dhe ka nisur ringritjen dhe parashikimet janë për një rritje të fortë në 2016-ën.

Top Channel