Irak, sulme me bomba ndaj pelegrinëve në ditën e Ashures

04/11/2014 00:00

Autoritetet irakiane janë vënë në gjendje gatishmërie të lartë pas një
vale të sulmeve me bomba ndaj pelegrinëve shiitë që i drejtohen qytetit
të Qerbelasë për kremtimet vjetore të Ashures.

Ekstremistët islamike sunite morën përgjegjësinë e episodeve të dhunës që shkaktuan 23 të vrarë në kryeqendrën e vendit, Bagdad. Militantët u mburrën se pavarësisht masave të rrepta të sigurisë, arritën t’i vënë në jetë sulmet e tyre kundër atij që e quajnë “aktiviteti më i madh i të pafeve”. Tre shpërthime të mëvonshme me bomba vranë edhe 10 persona të tjerë, përfshirë këtu 2 ushtarë.

Vëmendja e forcave të sigurisë është përqendruar tek rruga 100 kilometërshe nga Bagdadi drejt Qerbelasë, ku festivali i rëndësishëm fetar ka filluar.

Kremtimet e Ashures, që sot arrijnë kulmin, kujtojnë vdekjen në shekullin e 7-të të një figure të lartë të shiitëve, nipit të Profetit Muhamet, Husein moment ky i cili shënon edhe ndarjen e sektit shiiit dhe atij sunit.

Top Channel