ISIS, mbi 150 fëmijë kurdë të abuzuar

04/11/2014 00:00

Më shumë se 150 fëmijë kurdë janë abuzuar nga militantët e ISIS-it, sipas “Human Rights Watch”.

Mbështetur në dëshmitë e vetë të miturve, organizata ndërkombëtare e të drejtave të njeriut sqaron se abuzimet kanë ndodhur përgjatë një periudhe robërie 6-mujore, duke shtuar se torturat e ushtruara ndaj tyre mbërrijne deri në krim lufte.

Fëmijët janë rrëmbyer në afërsi të Kobanës nga fundi i muajit Maj, ndërsa ktheheshin në shtëpi pasi kishin dhënë disa provime në Aleppo.

Nga sa pohon “Human Rights Watch”, 50 prej djemve arritën të arratisen më herët, ndërsa pjesa tjetër u la e lirë grupe-grupe, më i fundit i të cilëve u bashkua me familjet më 29 Tetor.

Sipas organizatës, militantët e Shtetit Islamik i kanë detyruar fëmijët të shohin video ekzekutimesh me prerje koke e i rrihnin me kabëll elektrik. 4 prej tyre rrëfejnë se janë mbajtur në qytetin verior sirian të Manbixhit.

Ata flasin për abuzime të shpeshta nga duart e ekstremistëve. Kush nuk i përmbahej programit rrihej egërsisht, thonë të miturit. Ndonjëherë na godisnin edhe pa arsye. Na detyronin të mësonim Kuranin dhe ata, që nuk e mësonin dot, ndëshkoheshin.

Djemtë tregojnë se abuzimet më të mëdha i rezervoheshin fëmijëve, të afërmit e të cilëve ishin anëtarë të milicisë kurde të njohur si YPG, apo trupat që po luftojnë me ISIS-in për kontrollin e Kobanës.

Fëmijëve nuk i është thënë se përse u lanë të lirë në fund, por i vetmi shpjegim, sipas “Human Rights Watch”, mund të jetë përfundimi i atij që militantët e konsiderojnë “program trajnimi”.

Top Channel