Londër, fre lokaleve të natës për krimet

04/11/2014 00:00

Britania e Madhe njihet si një vend, ku konsumi i alkoolit është në nivele të larta, e si pasojë grindjet, por edhe intoksikimi i njerëzve nga alkooli që mbërrinin në spitale, kapnin shifra alarmante.

Përballë kësaj situate, 6 vite më parë qeveria e Londrës rishikoi legjislacionin për licencimin e të gjitha lokaleve ku tregtohet alkool.

Në shtetin ishullor, shumicës së “pub”-eve apo bareve me licencë u përcaktohet orari i mbylljes, që është ora 23:00.

Në kryeqytetin britanik Londër, me mbi 10 milionë banorë, pas hyrjes së legjislacionit në fuqi nuk janë më shumë se 30 lokale, ku orari i mbylljes është ora 3 e mëngjesit, për të cilët janë vendosur një mori me kushte sigurie, që ato duhet të plotësojnë.

Për ambientet ku tregtohet alkool, një vëmendje të veçantë legjislacioni britanik u kushton masave të sigurisë, e në veçanti ndaj atyre që operojnë deri në orën 3 të mëngjesit.

Gjë që do të thotë se të gjitha “pub”-et, baret apo diskot, në varësi të hapësirës dhe numrit të klientëve, duhet të ndërtojnë një rrjet të brendshëm me roje sigurie të trajnuar dhe të licencuar për këtë shërbim.

Detyra e tyre parësore është kontrolli në hyrje të lokaleve e të gjithë klientëve, pa dallim, për armë dhe drogë, ndërsa nga brenda lokalit bëhet nxjerrja jashtë e personave të dehur, përfshi parandalimin dhe shuarjen e sherreve të mundshme.

Pjesë e licencës për të tilla lokale është pasja e sistemit të brendshëm të monitorimit me kamera “CCCTV”, që shërben në zbardhjen e incidenteve të mundshme.

Përgjegjës për licencimin e një lokali, ku konsumohet alkool, janë Bashkia e zonës ku ndodhet lokali, policia rajonale dhe shërbimi zjarrfikës.

Pas këtyre ndryshimeve, statistikat kanë treguar se numri vrasjeve nëpër lokale ka rënë, përfshi një ulje të ndjeshme të personave që mbërrijnë në urgjencë si të intoksikuar nga pijet alkoolike.

Top Channel