Rama në Vermosh, inspekton rrugën e re

04/11/2014 00:00

“Kantieri i rrugës së Vermoshit, ku bukuria të merr sytë dhe braktisja e gjatë frymën. Era e Rilindjes po fryn në Alpe”.

Kështu e ka komentuar kryeministri Rama vizitën e tij në skajin më verior të vëndit, i kthyer vitet e fundit në një atraksion turistik.

Turizmi mbetet e vetmja mundësi punsimi për banorët e kësaj zone, por zhvillimi mëtejshëm i turizmit kërkon dhe infrastrukturën e duhur.

Kelmendi ishte ndalesa e parë e kryeministrit Rama dhe siç thonë banorët e kësaj zone, atje nuk ka shkelur asnjë kryeministër që pas çlirimit të vendit.

Rama inspektoi ecurinë e projekteve për kthimin e kësaj zone në një nga atraksionet e mëdha turistike të Shqipërisë. Në Leqet e Hotit ai qëndroi në atë që njihet si një ndër ballkonet panoramike, që parasheh ndërtimi i rrugës deri në Tamarë.

“Është e para herë që vjen një kryeministër. Historia do ta shkruajë që keni ardhur ju, se më parë s’kanë ardhur, as në kohën e Partisë së Punës, as në demokraci. Amanet po ta lë si plak, të bësh ligje dhe jo si Sali Berisha”, u shpreh një i moshuar kur takoi kryeministrin.

“Do të vij prap, do t’ju takoj. Do bëjmë rrugën, do ta lidhur bashkë me Plavën dhe Gucinë këtë segment. Pastaj do mbështesim gjithë zonën për zhvillimin e turizmit”, tha Rama nga ana e tij.

Më pas, kryeministri udhëtoi drejt Tamarës, ku inspektoi sheshin kryesor të komunës. Një objekt i cili ka përfunduar, por ndërkohë kryeministri kërkoi që të shtohen fondet dhe projekti të shkojë më tej.

Në Tamarë, kryeministri pati një takim me banorë të zonës, me të cilët foli për projektin e qeverisë për ta kthyer atë në destinacion turistik jo vetëm dimëror, por të shfrytëzueshëm përgjatë gjithë vitit.

“Ramë dakord edhe me kryetarin e komunës për të vijuar këtë projekt, për t’i dhënë mundësi gjithë atyre që kanë këto njësi tregtare që të mund t’i kthejnë në identitet duke iu dhënë një projekt, duke bërë një financim në mënyrë që të vendosen të gjitha çatitë siç kanë qenë dikur, të vishen me gurë të gjitha fasadat. Në projektin e integruar të Alpeve përfshihet Mali i Zi dhe Kosova dhe ne do të mbështetemi shumë fort tek njerëzit e zonës”, premtoi Rama.

Top Channel