Çfarë do të zgjidhin zgjedhjet?

04/11/2014 00:00

Kush flet me republikanë e demokratë në Shtetet e Bashkuara, nga të dyja palët do të dëgjojë të njëjtin refren: të gjithë janë të lodhur nga qëndrimet partizane, nga ngërçet, nga paaftësia për të gjetur gjuhën e kompromisit e për të punuar së bashku, nga mosfunksionimi i marrëdhënieve Kongres-Shtëpi e Bardhë.

Atëherë, çfarë ndryshimi do të përbënte marrja e kontrollit të Senatit nga republikanët? Disa parashikojnë zymtësisht përkeqësim pa fre të situatës. Të tjerë më optimistë përpiqen të shohin anën pozitive, edhe pse me ngurrim.

Me lodhjen e elektoratit nga linja e ndjekur prej Presidentit, siç ndodh rëndom në zgjedhjet e mesit të mandatit, dhe rënien e popullaritetit të Barack Obamas, mundësia që republikanët të marrin edhe Senatin është e madhe.

Epërsia e demokratëve në dhomën e lartë të Kongresit amerikan është me vetëm 5 vende. Po siguruan 6 mandate, republikanët e kanë Senatin të fituar. Duke qenë se kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve ata e kanë tashmë, marrja e Senatit mund t’i japë pushtetin e nevojshëm për të bllokuar çdo nismë të Obamas në dy vitet e fundit të mandatit të tij presidencial.

Disa argumentojnë se republikanët edhe mund të detyrohen të bashkëpunojnë me shefin e Shtëpisë së Bardhë, por të tjerë këmbëngulin se baza konservatore e partisë nuk do ta hedhë një hap të tillë, sidomos në kuadër të zgjedhjeve presidenciale të 2016-s.

Kontrolli republikan i Kongresit mund të ketë ndikime në politikën e brendshme, siç do të ishte pengimi i reformës në shëndetësi. Presidentit mund t’i vështirësohet puna edhe në politikën e jashtme, pasi fuqinë e kuletës e ka Kongresi dhe pa dritën jeshile të Senatit nuk bëhet ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare.

Ekspertët mendojnë se ndikim do të ketë edhe mbi marrëdhëniet transatlantike. Obama është përpjekur t’i përmirësojë relatatat me Europën, por republikanët janë skeptikë për aleancat tradicionale me kontinentin e vjetër dhe nuk përjashtohet mundësia që një shumicë e tyre në Kongres ta përkeqësojë situatën.

Top Channel