Meksikë, arrestime për zhdukjen e studentëve

04/11/2014 00:00

Policia në Meksikë deklaron se ka arrestuar kryebashkiakun e arratisur të qytetit Iguala, në lidhje me zhdukjen e 43 studentëve në muajin shtator.

Jose Luis Abarca u prangos nga oficerët e policisë federale në kryeqytetin Meksiko Siti bashkë me bashkëshorten e tij, saktësoi një zëdhënës policie.

Autoritetet e akuzojnë kryebashkiakun Abarca se urdhëroi policinë të përballej me studentët ditën e zhdukjes së tyre më 26 shtator.

Dëshmitarë të asaj ditë kanë deklaruar se i kanë parë të rinjtë të hipnin me forcë në makinat e policisë.

Autoritetet kishin lëshuar një urdhër-arrest për zotin Abarca dhe bashkëshorten e tij, pasi disa oficerë të policisë së qytetit Iguala thanë se kishin marrë urdhër prej tij për të ndaluar studentët.

Oficerët thanë se kishin marrë urdhër të ndalonin studentët në mënyrë që ata të mos prishnin një fjalim të mbajtur nga bashkëshortja e Abarca të njëjtën ditë në qytet.

Studentët kishin udhëtuar nga një qytezë e afërt për të kërkuar fonde dhe për të protestuar. Që prej asaj dite ata nuk janë parë më. Ekzistojnë dyshime se policia nga ana e saj ia ka dorëzuar studentët karteleve të drogës, të cilat i kanë hequr qafe.

Kërkimet kanë çuar në zbulimin e disa varreve masive në zonë, por testet paraprake sugjeruan se nuk u përkisnin studentëve.

Që atëherë më shumë trupa të varrosur janë zbuluar dhe autoritetet kanë ngritur dyshime mbi saktësinë e testeve në fjalë dhe për rrjedhojë po kryhen të tjera.

Top Channel