“Santiago Bernabeu” ndryshon emër për 425 mln euro?

04/11/2014 00:00

Për parà çfarë nuk bëhet… Një zbulim sensacional vjen nga gazetari spanjoll Eduardo Inda, ish-drejtor i “Marca”, sipas të cilit Real Madridi ka arritur tashmë akordin me Kompaninë Ndërkombëtare të Investimeve në Karburante (IPIC), për të ndryshuar emrin e stadiumit “Santiago Bernabeu”.

Impianti historik ku zhvillojnë ndeshjet “mbretërorët”, duke nisur nga sezoni i ardhshëm pritet të quhet “Abu Dhabi Bernabeu”. Një “sakrificë” kjo, që do të derdhë në arkat e klubit “merengues” plot 425 milionë euro për 20 vitet e ardhshme.

Një shifër e jashtëzakonshme, përpara së cilës edhe historia nuk ka se ç’bën, veçse të dorëzohet. Marrëveshja e zbuluar nga gazetari spanjoll parashikon gjithashtu ristrukturimin total të impiantit. Megjithatë nuk përjashtohen edhe opsione të tjera për emrin e ri të stadiumit: “Cepsa Bernabeu”, referuar Kompanisë spanjolle të Petroleumit; apo “IPIC Bernabeu”, në nder të kompanisë me të cilën është arritur marrëveshja nga drejtuesit e “Los Blancos”.

Top Channel