Kapet në Tajlandë bashkëthemeluesi i Pirate Bay

04/11/2014 00:00

Një nga bashkëthemeluesit e faqes së internetit Pirate Bay është arrestuar teksa tentonte të hynte në Tajlandë nga Laosi.

Hans Fredrik Lennart Neij, i njohur në web me pseudonimin TiAMO, u vu në pranga si pasojë e një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar që prej vitit 2009, pasi u shpall fajtor në vendin e tij për shkelje të të drejtave të autorit.

Pirate Bay, që ofron një listë të gjerë linqesh me përmbajtje të piratuar, është një nga faqet e internetit më të vizituara në botë. 36-vjeçari suedez ishte dënuar nga një gjykatë e vendit të tij pesë vjet më parë.

Atij dhe tre bashkëpunëtorëve të tjerë u ishte caktuar nga një vit burg dhe një gjobë prej 3.6 milionë dollarë për dëmet e shkaktuara. Neij u arratis nga Suedia gjatë lirimit me kusht.

“Zoti Neij u ndalua teksa përpiqej të hynte në Tajlandë nga Laosi, ku jetonte që prej vitit 2012”, deklaroi një zyrtar i policisë tajlandeze.

Gjatë qëndrimit në Laos, 36-vjeçari kishte urdhëtuar rreth 30 herë në Tajlandë, ku kishte një shtëpi në ishullin turistik Phukat.

Në vitin 2012, një tjetër bashkëthemelues i Pirate Bay, Gottfrid Warg u arrestua në Kamboxha dhe u dërgua në Suedi për të shlyer dënimin.

Ndërkohë, javën e kaluar ai u dënua nga një gjykatë daneze me 3 vjet e gjysmë burg për depërtim në sistemet e gjigandit të IT-së, CSC, prej nga kishte shkarkuar ilegalisht dokumente.

Top Channel