Rusi, marshim “force” kundër Perëndimit në “Ditën e Unitetit”

04/11/2014 00:00

Dhjetra mijëra njerëz kanë marshuar këtë të martë në rrugët e Moskës, të pajisur me flamuj dhe slogane që lavdëronin Rusinë si një superfuqi, në një paradë të përvitshme që këtë vit është konsideruar edhe si shfaqje e sfidës ndaj Perëndimit për Ukrainën.

Presidenti Vladimir Putin nuk i është bashkuar marshimit që shënon “Ditën e Unitetit”, por më vonë dha një fjalim duke e portretizuar Rusinë si një shtet moralisht superior në përplasjet me Perëndimin, duke shtuar se ajo është bashkuar edhe më tepër përballë “sfidave të vështira”.

Politikanët rusë i tejkaluan këto limite, duke shfaqur entuziazmin e tyre patriotik në një koncert të mbajtur pas marshimit, që sipas policisë mblodhi mbi 70 mijë njerëz, disa prej të cilëve duke kërcyer e kënduar, ndërsa të tjerë duke valëvitur flamurin rus.

Disa të tjerë, të cilët kishin edhe slogane në duar, këndonin në kor “Një popull që është i bashkuar, është një popull që nuk mund të mposhtet” dhe “Bashkimi është forca jonë”. Ndërsa banerat e tyre kishte edhe të tilla që mbështesnin separatistët prorusë në Lindje të Ukrainës, të cilët luftojnë prej kohësh ndaj forcave qeveritare të Kievit.

Në koncertin e hapur pranë “Sheshit të Kuq”, lideri komunist Gennady Zyuganov bëri thirrje për njohjen ruse të zgjedhjeve të mbajtura të dielën, në mënyrë që të legjitimohen “Republikat Popullore” të vetëshpallura nga separatistët, në rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut.

Në një fjalim të zjarrtë, lideri populist Vladimir Zhirinovsky lavdëroi Putinin për rimarrjen e Krimesë nga Ukraina në Mars, si dhe lëshoi sfidën ndaj Perëndimit mbi sanksionet e vendosura në përgjigje të veprimeve ruse në Ukrainë.

“Dita e Unitetit do të shkojë edhe në Ukrainë, por atëherë do të quhet ‘Dita e Unitetit në Rusinë e Re dhe Rusinë e Vogël’ (referuar nje territori ukrainas), ndaj lëreni popullin në Ukrainën perëndimore të kenë pushtetin e tyre të vogël”, tha Zhirinovsky.

“Shtetet e Bashkuara mund të festojnë Ditën e Pavarësisë, por duhet ta kujtojnë gjithmonë se ishte Marina ruse që i ndihmoi në betejën e tyre kundër kolonizatorëve britanikë. Europa mund të flasë për demokraci dhe për të drejtat e njeriut, por ishte ushtria sovjetike, ai që çliroi Europën nga fashizmi, i cili po rritet sërish në Ukrainën perëndimore dhe disa zona të tjera”.

Top Channel