Poroshenko dërgon ushtrinë në Lindje. NATO paralajmëron afrimin e trupave ruse

04/11/2014 00:00

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, ka urdhëruar ushtrinë gjatë së martës të dërgojë njësi të reja ushtarake në mbrojtje të qyteteve në Lindje dhe Juglindje të vendit nga ndonjë sulm i mundshëm nga separatistët e mbështetur nga Rusia.

Lajmi bëhet i ditur nga agjencia e lajmeve “Interfax”, sipas së cilës Poroshenko ka thënë, gjatë një takimi të Sigurisë Kombëtare dhe Këshillit të Mbrojtjes, se “Janë formuar tashmë njësi të reja ushtarake dhe grupe të tjera, të cilat do të dërgohen menjëherë në mbrojtje ndaj një ofensive të mundshme në Mariupol, Berdyanks, Kharkiv dhe pjesën veriore të Luhanskut”.

Poroshenko thirri në takim shefat më të lartë të sigurisë, pasi separatistët e mbështetur nga Rusia zhvilluan në fundjavë zgjedhjet në Lindje dhe emëruan liderët e “Republikave Popullore”, duke sfiduar Kievin dhe Perëndimin, të cilët i kanë denoncuar këto zgjedhje si të jashtëligjshme.

Ndërkohë, në një reagim të fundit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg, ka bërë të ditur se trupat ruse janë duke u afruar në kufirin me Ukrainën, ndërsa Moska vazhdon të trajnojë rebelët në Lindje të Ukrainës, duke i pajisur edhe me mjete ushtarake.

“Kemi parë trupat ruse të afrohen shumë pranë kufirit me Ukrainën”, tha Jens Stoltenberg, lider i aleancës atlantiko-veriore, në një konferencë për shtyp së bashku me shefen e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

“Rusia vazhdon të mbështesë separatistët duke i trajnuar, duke u dhënë mjete ushtarake dhe mbështetje, por ka gjithashtu edhe forca speciale brenda rajoneve Lindore të Ukrainës”, tha Stoltenberg.

Top Channel