OKB, Ban Ki-moon: Zgjedhjet, fatkeqe dhe kundërproduktive

04/11/2014 00:00

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, bëri të ditur gjatë së martës se zhvillimi i zgjedhjeve nga ana e separatistëve në Lindje të Ukrainës, përgjatë fundjavës, ishte “fatkeq dhe kundërproduktiv”.

Rebelët prorusë zgjodhën krerët e tyre nëpërmjet votimeve të së dielës, të cilat u konsideruan nga Kievi dhe Perëndimi si shkak për shtimin e tensioneve me Rusinë mbi të ardhmen e ish-shtetit sovjetik.

Ban Ki-moon, duke u shprehur nga Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë (OSBE) me seli në Vjenë, tha se situata në Ukrainë mbetet në rangun e një shqetësimi të thellë. OSBE-ja përbëhet nga 57 anëtarë, mes të cilëve edhe Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina.

“Pseudozgjedhjet në rajonet lindore të Ukrainës këtë të diel nuk janë gjë tjetër veçse një zhvillim fatkeq dhe kundërproduktiv”, tha Ban Ki-moon.

Më shumë se 4 mijë njerëz kanë vdekur nga konflikti Ukrainë-Rusi, që nisi me rrëzimin e Presidentit të mbështetur nga Moska, Viktor Yanukovich, në Shkurt. Një armëpushim i arritur më 5 Shtator në Minsk të Bjellorusisë i ndali luftimet në shkallë të gjerë, por sërish pati përplasje sporadike.

Top Channel