Venezuelë, Maduro rrit rrogat minimale

04/11/2014 00:00

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro deklaroi se do të rrisë rrogat minimale në vend me 15 për qind duke filluar nga dhjetori. Rritja, e treta për këtë vit, vjen në një kohë kur kuota vjetore e inflacionit ka arritur në 63.4 për qind.

Maduro tha se kjo rritje dhe përfitime të tjera do të bëjnë që punëtorët të kenë një jetë më të mirë, pavarësisht inflacionit, për të cilin fajësoi “luftën ekonomike” të opozitës. Rroga e re do të arrijë në 4.889 bolivarë në muaj, ose 776 dollarë amerikanë.

Për shkak të kontrolleve të rrepta që i bëhen përdorimit të valutës në Venezuelë, njerëzit dhe bizneset mund të marrin dollarë amerikanë duke respektuar një kuotë zyrtare të vendosur nga qeveria, duke i kërkuar në një agjenci shtetërore këmbimi dhe vetëm për qëllime specifike si importi i mallrave apo pagesa e një udhëtimi jashtë shtetit.

Por nga ana tjetër, edhe aksesi tek shuma e dollarëve që disponojnë rezervat vendase është shumë i kufizuar, edhe pse kërkesa mbetet e lartë. Një gjë e tillë ka bërë që tregu i zi të lulëzojë.

Për të marrë duartrokitjet e anëtarëve të partisë dhe punëtorëve në një eveniment zyrtar, presidenti Maduro tha se kishte vendosur të pranonte propozimin e tyre për një rritje prej 15 për qind të rrogës minimale nga 1 dhjetori.

Javën e kaluar presidenti njoftoi se do të rriste rrogat e anëtarëve të forcave të armatosura me 45 për qind, një lëvizje kjo që është kritikuar ashpër nda opozita.

Maduro tha se problemet ekonomike të Venezuelës janë krijuar nga një elitë lakmitare që i korr fitimet e veta përmes kontrabandës dhe shitjes së mallrave me çmime të larta.

Top Channel