Luiza Xhuvani dorëzon mandatin: Drejtësia të bëjë drejtësi për tim bir

04/11/2014 00:00

Deputetja socialiste Luiza Xhuvani, e shoqëruar nga Kryeministri Edi
Rama publikisht njoftoi se kishte paraqitur dorëheqjen nga detyra e saj
si deputete e Sarandës, pas ngjarjes së rëndë të mëngjesit të së martës,
ku mbeten të vrarë 4 persona dhe djali i saj Kostandin Xhuvani është një
prej autorëve kryesore të dyshuar për këtë masakër.
 

Deputetja Luiza Xhuvani, nëna e Kostandin Xhuvanit, i arrestuar këtë të martë, për vrasjen e 4-fishtë dorëzoi mandatin e deputetes.

Nga selia e Kryeministrise ajo kerkoi qe drejtesia te beje drejtesi per te birin dhe qe ai te trajtohet si i barabarte përpara ligjit. Xhuvani tha se ajo qe ndodhi ne mengjes nuk ka lidhje me familjen e saj.

“Fjalët nuk më mjaftojnë për të shprehur dhimbjen dhe drithërimat e shpirtit. Dhimbje për 4 jetë të humbura. Dhimbje për familjarët e atyre që sot vajtojnë bijtë që nuk jetojnë më. Sigurisht dhimbja e një nënë që sot e ka të pamundur të marrë me vete fajet e të birit. Ngjarja e ndodhur sot në të gdhirë është tragjike, por ajo ngjarje nuk ka asnjë lidhje me familjen e Kostandinit. Nuk ka lidhje me prindërit e tij, as me mandatin që unë, nëna e tij, ushtroj. Janë 4 familje që sot vajtojnë humbjen e njerëzve më të shtrenjtë, 4 familje që sot kërkojnë drejtësi dhe drejtësia duhet të bëjë drejtësi. Drejtësia duhet t’i trsajtojë të gjithë të barabartë përpara ligjit, me bindjen se drejtësia duhet të veprojë ndaj çdokujt që shkel ligjin edhe kur bëhet fjalë për fëmijën tënd, për t’i hequr çdo lloj alibie çdokujt që mund t’i shkojë nëpërmend që ligji nuk zbatohet njëlloj për të gjithë, në pamundësi për të vazhduar t’i shërbej dhe t’i dedikohem zonës që kam zgjedhur, duke i kërkuar ndjesë, i kam paraqitur sot Kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Socialiste, dorëheqjen timë si deputete e Sarandës”, tha Luiza Xhuvani.

Top Channel