Psikologët: Mungojnë profilet për individët me preçedentë penalë

04/11/2014 00:00

Për të folur mbi ngjarjen e ndodhur në orët e mëngjesit në Tiranë, ku katër persona mbetën të vrarë, e ftuar në studion e lajmeve të Top Channel ka qenë zonja Arjana Muçaj, eksperte e psikologjisë ligjore.

TCH: Zonja Muçaj, nisur nga ngjarja e rëndë që ndodhi sot, ju gjithmonë jeni shprehur për të ngritur një department për të studiuar shkaqet e krimit dhe kriminalitetin, si edhe të studiojë profilet e autorëve të krimit. Sa do të ndihmonte kjo strukturë në këtë situatë kur krimi mes të rinjve po merr një tjetër specifikë?

Muçaj: Kjo strukturë do të ishte shumë e rëndësishme, sidomos pas ngjarjes së sotme, një ngjarje tragjike. I shpreh ngushëllimet familjeve të viktimave, por njëkohësisht i drejtohem strukturave të shtetit duke u kërkuar që të kuptojnë rëndësinë e psikologut. Të kuptojnë se ku duhet të punojnë psikologu për të ndërtuar profile, në mënyrë që këta persona që paraqesin rrezik për shoqërinë të mbahen nën hetim apo nën vëzhgim.

TCH: Cilat janë sipas jush problemet kryesore që i çojnë sot të rinjtë drejt botës së krimit? Çfarë ndodh me anën e tyre psikologjike?


Muçaj
: Në fakt realiteti i sotëm është i hidhur për të gjithë prindërit, që sapo dëgjojnë një ngjarje të tillë shqetësohen, si dhe për të rinjtë sepse papunësia është një fenomen social dhe mendojnë të krijojnë një pasuri të menjëhershme. Duke parë se pasuria nuk vjen përmes zhvillimit gradual, ata mendojnë se ajo bëhet më shpejt nëse zgjedhin rrugën e krimit. Sot shoqëria jonë vuan nga disa dilema, pjesë e të cilave janë edhe të rinjtë dhe shpesh ata gjenden brenda botës së krimit. Detyrimisht, ne si shoqëri duhet të mendojmë ç’po ndodh dhe ku po shkon rinia në ditët e sotme.

TCH: Çfarë duhet bërë në këtë drejtim për të minimizuar ngjarje të tilla të rënda?


Muçaj
: Duhet të mendojmë me një largpamësi dhe të shohim më tutje sepse të rinjtë sot janë të papunë dhe e kanë të vështirë ta gjejnë. Duhet të mundësojmë futjen dhe angahzimin e të rinjve në shoqëri, për të mos u lënë atyre një kohë të lirë për ta kaluar vend e pavend, por që ta shfrytëzojnë më mirë atë.

Top Channel