PD, Paloka: Autori i krimit kishte mbrojtjen e kryeministrit

04/11/2014 00:00

Deputeti demokrat Edi Paloka theksoi në një dalje për mediat se “përgjegjësia e rëndë morale dhe politike për këtë vrasje të paralajmëruar” është e kryeministrit Edi Rama pasi, sipas tij, Konstandin Xhuvani ka qenë një person i shpallur në kërkim, por që nuk është ndaluar kurrë nga policia.

Pasi vlerësoi dorëheqjen e Luiza Xhuvanit si deputete e Sarandës, zoti Paloka deklaroi: “Kostandin Xhuvani ka qenë person i shpallur në kërkim nga policia që me 26 prill të këtij viti, për shkak se ka kanosur qytetarët dhe ka qëlluar me armë në lagjen “18 Shtatori” në Gjirokastër. Është shpallur në kërkim, por nuk është ndaluar kurrë nga policia sepse Konstandin Xhuvani është shpallur në mbrojtje nga qeveria përpara se të shpallej në kërkim. Siç u shpall në mbrojtje edhe kur  iu kundërvu me armë forcave të policisë gjatë operacionit në Lazarat, një fakt i dëshmuar nga vetë Drejtori i Policisë së Gjirokastrës në mediat televizive. Nëse ligji do të zbatohej njësoj për të gjithë, autori i krimit të sotëm që mori katër jetë do të ishte ndaluar në oborrin e Parlamentit, ku u soll me vrik nga Gjirokastra me mjete të ushtrisë, për t’i shpëtuar aksionit të policisë dhe për ta përdorur para kamerave edhe këtë rast si sulm ndaj opozitës.”

Më tej, deputeti i Partisë Demokratike shtoi: “Nëse Edi Rama nuk do t’i bëhej mburojë recidivistit të dënuar për vrasje; nëse nuk do të ekzistonte Shqipëria ku kriminelët e lidhur me Edi Ramën kanë imunitet e bredhin lirshëm me pistoletë në brez edhe pse janë në kërkim; nëse nuk do të ekzistonte Shqipëria e të tjerëve që bien viktima të fëmijëve të pushtetit; Shqipëria ku policia i merr shpirtin qytetarëve të zakonshëm për një tullë, apo për një faturë energjie që nuk e paguajnë dot se s’kanë bukë të hanë; po ku nderohen banditët e lidhur me qeverinë apo të dënuarit e sjellë deri në Kuvend si deputetë nga Edi Rama, atëherë krimi i sotëm mund të ishte evituar.”

Edi Paloka e mbylli fjalën e tij duke thënë se në Shqipëri “është instaluar një oligarki e përzier me bandat”.

Top Channel