Varësia nga droga, sa rrezikon t’i çojë individët drejt botës së krimit?

04/11/2014 00:00

Ngjarja e rëndë kriminale e mëngjesit të së martës tregoi se protagonistët kanë qenë edhe përdorues të drogës. Për të folur për këtë çështje, i ftuar në studion e lajmeve të Top Channel ka qenë mjeku Zini Sulaj, shef i Toksikologjisë në QSUT.

TCH: Zoti Sulaj së pari, në ç’përmasa janë përdoruesit e drogës në vend?

Sulaj: Për fat të keq droga është një fenomen që zhvillohet jashtë syve, nën dhe, underground dhe shpesh kujtohemi për të në ngjarje tragjike e drithëruese si kjo e sotmja. Droga është një fenomen kompleks, i instaluar në tërë dimensionet dhe pavarësisht shifrave që kemi, në të vërtetë përdoruesit nuk do t’i gjejmë dot pasi fenomeni zhvillohet larg syve dhe mjeteve për t’i identifikuar. Aktualisht kemi një problem real për shkak të përdorimit të drogave të rënda, si heroina, ndërsa ka një shtim të përdorimit të kokainës, por edhe të produkteve të kanabisit. Në qendrat kurative janë regjistruar 1.500 persona, por kjo shifër nuk përfaqëson më shumë se 10 për qind të përdoruesve, që do të thotë se kemi nga 12 mijë deri në 15 mijë përdorues problematikë. Bëhet fjalë për përdorues drogash të rënda, që kanë krijuar vartësi, që kanë nevoja imediate dhe që kanë probleme biologjike, shëndetësore e sociale.

TCH: Sa i rrezikshëm është ky kontigjent në rritjen e kriminalitetit në vend?

Sulaj:
Është një rrezik real. Është një problem mjaft i mprehtë. Agresiviteti është një nga manifestimet më të rrezikshme që vijnë pas një ndërveprimi kompleks mes drogës, individit dhe situatës ku ai ndodhet. Këto e shtyjnë përdoruesin që të humbasë sjelljen dhe ta përdorë drogën edhe në situata ku shumë nga problemet mund të duken të lidhura me të.

TCH: Si mund të rehabilitohen këta persona? A kemi ne qendra rehabilituese për t’i shpëtuar këta individë nga droga, por edhe nga bota e krimit?

Sulaj: Në rang global politika represive ka dështuar. Nëse në rang global harxhohen 100 miliardë dollarë për represionin, shumë pak lekë nga ky fond harxhohen për kurimin dhe parandalimin. Kjo ndodh edhe në vendin tonë dhe edhe këtu politika represive nuk ka pasur rezultat. Kemi një rritje të shifrave dhe një efekt koalteral masiv. Për shkak të drogës nga rreth 9 milionë të burgosur që janë sot në botë, 25 për qind e tyre janë për krime të lidhura me drogën. Droga ka shkaktuar krime në Amerikën Qendrore dhe Jugore. Rreth 45 mijë persona në vit vriten në tregun e drogës. Ka shkaktuar probleme si shkak i përhapjes së SIDA-s dhe hepatitit C dhe B, në shkeljen e të drejtave dhe droga nuk është ndalur as në vende që kanë politika ekzekutimi si Kina dhe shtete të tjera të Azisë jug-lindore. Por unë jam optimist sepse qeveria aktuale ka treguar vullnet politik, si për shembull në luftën kundër duhanit. Gjërat mund të vihen shumë shpejt nën kotntroll, por duan vëmendje edhe mënyrat e edukimit, parandalimit dhe trajtimit. Sistemet e trajtimit mungojnë. Ne kemi një sistem të bazuar në shoqatat joqeveritare që marrin të gjitha fondet dhe pavarësisht përpjekjeve të tyre nuk mund të kontrollojnë gjithë individët. Prandaj duhet shtrirja e shërbimeve dhe futja e këtij trajtimi në shëndetin publik.

Top Channel