Krimi i katërfishtë, grupi i hetimit gati për akuzat

04/11/2014 00:00

Për të mësuar të rejat e fundit mbi këtë krim të rëndë që tronditi kryeqytetin gjatë së martës, në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, ku edhe po mbahen 3 të dyshuarit e arrestuar, ka raportuar gazetarja Anila Hoxha.

Grupi i hetimit sapo kishte përfunduar marrjen në pyetje dhe marrjen e dëshmive të dëshmitarëve okularë në vendin ku ndodhi krimi i katërfishtë, në momentin e raportimit, dhe vëmendja e tij ishte kthyer në Prokurorinë e Tiranës, ku 3 prokurorë të çështjes Enklid Gjini, Ervin Karanxha, Erjon Pano; së bashku me kryeprokurorin e Tiranës, zotin Petrit Fusha, po analizojnë provat materiale dhe deklaratat për të dalë në një konkluzion, se me çfarë akuzash do të shkojnë ata për të kërkuar masën e sigurisë ndaj të ndaluarve.

Është marrë gjithashtu edhe deklarata e oficerit të policisë, i cili arrestoi shtetasin Kostandin Xhuvani, i cili – sipas burimeve jozyrtare – i ka thënë grupit të hetimit se Kostandin Xhuvani i ka thënë oficerit “më lër të iki. Unë që vrava ata 4 persona, nuk e kam problem që të të vras edhe ty”. Grupi i hetimit ka marrë gjithashtu analizat dhe pret një përgjigje nga laboratori i kriminalistikës, për përfundimin se çfarë lëndësh narkotike kanë përdorur të ndaluarit, megjithatë kjo nuk pritet të ndikojë aspak në kualifikimin e veprës penale për të cilën dyshohen të ndaluarit.

Konkretisht burimet e grupit të hetimit thonë se Kostandin Xhuvani ka shumë mundësi të dalë para Gjykatës Penale të Tiranës, sipas nenit 79/dh, që flet për vrasje kundër 2 apo më shumë personave dhe që parashikon dënimin jo më pak se 25 vjet heqje lirie, deri në burgim të përjetshëm. Shtetasi tjetër, shok me Kostandin Xhuvanin, Erald Sina ka shumë mundësi të dalë me veprën penale të përkrahjes së autorit në krim, si dhe për një vepër tjetër të diskutueshme – për shkak të rrethanave të nxjerra nga dëshmitarët okularë në vendngjarje – e bëhet fjalë për veprën penale (jozyrtarisht) të ofrimit të parave për shfrytëzim prostitucioni. Një dëshmitar i ka thënë grupit të hetimit se Sina i ka ofruar lekë një femre për ushtrim prostitucioni dhe kjo femër është në kërkim. Ka dyshime se të dy tavolinat, që u grindën për ofrimin e lëndëve narkotike, të jenë grindur edhe për femrën në fjalë. Ndërsa për shtetasin tjetër, Albano Ballacaj, janë duke u analizuar provat, por dihet tashmë se është kushëriri i parë i të ndjerit Arbër Demiraj. Nuk është vendosur ende se çfarë vepre penale do t’i ngarkohet atij, apo nëse do të lihet i lirë.

Top Channel