Hadarmataj: Evidentim dhe kontroll ndaj lokaleve të natës

04/11/2014 00:00

Ndërkohë, në lidhje të drejtpërdrejtë sërish me gazetaren Anila Hoxha, ka qenë edhe ish-drejtuesi i Policisë së Lezhës, Arben Hadarmataj.

Anila Hoxha: Ju keni pasur një ngjarje thuajse të ngjashme në një lokal nate me viktima. Si e kontrolluat ju atë lokal në mënyrë që të parandalohej ndodhja e krimeve dhe kush duhet t’i kontrollojë lokalet e natës, në mos për të siguruar rendin dhe qetësinë, edhe për të parandaluar kriminalitetin?

Arben Hadarmataj: Falemnderit, por do filloj të përgjigjem nga pjesa e dytë e pyetjes. Është shumë e rëndësishme që këto lokale të evidentohen dhe të mbahen nën kontroll nga Policia e Shtetit. Pavarësisht se detyrime për kontrollin, asistimet dhe orarin, kanë edhe institucione të tjera, siç është pushteti lokal dhe Ministria e Mjedisit, për shkak të zhurmave akustike, detyra kryesore i takon Policisë së Shtetit, për deri sa këto lokale në përgjithësi, sipas verifikimeve të ndryshme, kanë qenë gjithmonë problematikë.

Anila Hoxha: Si duhet t’i kontrollojë policia këto lokale?

Arben Hadarmataj: Këto lokale kanë një orar të përcaktuar me ligj dhe me vendim të Këshillit të Ministrave, sipas të cilave nuk duhet të jenë pranë zonave të banuara. Në rastet kur janë pranë zonave të banuara, ka një orar të përcaktuar me ligj deri në 12 të natës (00:00) dhe në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar që këto lokale të frekuentohen pas këtij orari. Policia duhet të evidentojë të gjitha lokalet, duke përfshirë punëtorin e policisë së zonës, inspektorin e krimeve të zonës. Më tej duhen identifikuar të gjithë personat kontigjent, që frekuentojnë këto lokale, pasi dihet tashmë nga policia dhe nga opinioni publik, që këto lokale janë burim i këtyre konflikteve dhe i tragjedive të tilla, siç ka ndodhur sot në Tiranë. Lokale që përdoren për drogë e prostitucion, ndaj dhe duhen patjetër të evidentohen dhe të mbahen nën kontroll nga policia. Policia, siç e dini, duhet të mbajë nën kontroll të gjithë zonën që ka në ngarkim sipas ligjit. Inspektori i zonës dhe polici i saj duhet të reagojnë menjëherë.

Anila Hoxha: Zoti Hadarmataj, ju jeni gjithashtu edhe banor i zonës ku ndodhi ky krim i katërfishtë. Si banor i zonës, përveç se një oficer policie, kishit informacione ju se ky lokal kishte problematika me kriminalitetin apo me këto që ju thatë?


Arben Hadarmataj
: Realisht unë e dija ekzistencën e atij lokali, sepse banoj në atë zonë përafërsisht. Nuk është se e kam frekuentuar personalisht ndonjëherë, as miqtë e mi, por nga një vëzhgim i parë jo si qytetar i thjesht por si ish-oficer policie apo specialisti, të bën përshtypje edhe pozicioni i tij dhe punonjësit që shërbejnë aty, duke dyshuar për problematika.

Top Channel