Departamenti grek i Antidrogës ka zbuluar dhe ka konfiskuar një sasi prej 230 kg kokainë në një shtëpi në lagjen Vula të Athinës.

Sipas burimeve policore, pas kësaj sasie të madhe të lëndëve narkotike fshihet një prej baronëve më të mëdhenj të drogës në Amerikën Latine.

Forcat policore kanë arrestuar deri tani një 50-vjeçar grek, një 25-vjeçar nga Meksika dhe një kolumbian 60 vjeç.

Antidroga ka qenë në dijeni të faktit se një muaj më parë se trafikanti më i madh i Kolumbisë kishte mbyllur një marrëveshje me një trafikant nga Athina, me dosje të pasur penale në organet greke, për të sjellë sasinë e kokainës në Greqi.

Kokaina është ngarkuar në një port të Meksikës në pesë çanta të mëdha të futura në një konteiner me fruta. Anija ka mbërritur nëpërmjet Atlantikut në portin e Pireut dhe që aty në një apartament në jug të Athinës.

Sipas marrëveshjes, një pjesë e ngarkesës prej 70 kg, me vlerë miliona euro, do të shpërndahej në tregun vendas dhe pjesa tjetër do të udhëtonte në vendet e Lindjes së Mesme.

Top Channel