Republikanët “pushtojnë” edhe Senatin

05/11/2014 00:00

Një valë republikane ka rrëmbyer Senatin nga kontrolli i demokratëve gjatë së martës, sipas projeksioneve të para – sipas CNN – të rezultateve të zgjedhjeve të mesmandatit, duke i dhënë Republikanëve kontrollin e plotë të Kongresit dhe fuqinë për të “gozhduar” çdo përpjekje të Presidentit Barack Obama gjatë dy viteve të fundit të tij në krye të vendit.

Fitorja e jashtëzakonshme përmbys balancën e pushtetit mes Shtëpisë së Bardhë dhe Capitol Hill-it, vetëm 6 vjet pasi demokratët e Obamës erdhën në pushtet dhe margjinalizuan republikanët me nxitimin e tyre për reformën në kujdesin shëndetësor, në Wall Street dhe në kalimin e një pakete të madhe stimujsh.

Tashmë, demokratët e tij, të cilët do të marrin rolin e pakicës në Capitol Hill, do të mbështeten kryesisht në forcën e obstruksionizmit për të ndalur republikanët dhe për të ruajtur trashëgiminë e Obamës të paprekur.

“Për një kohë të gjatë, kjo administratë është përpjekur t’i tregojë popullit amerikan se çfarë është e mirë për ata dhe më pas kanë akuzuar dikë tjetër kur politikat e tyre nuk kanë funksionuar siç duhej”, tha Mitch McConnel, i cili pritet të bëhet lideri i ri i mazhorancës së Senatit, në fjalimin e fitores së tij.

Në Dhomën e Përfaqësuesve, republikanët kanë fituar 246 vende, një arritje rekord që prej Luftës së Dytë Botërore. Kreu i Dhomës, John Boehner, duke festuar një mazhorancë më të zgjeruar, tha se ai “i përulet përgjegjësisë që populli amerikan u ka ngarkuar atyre”.

“Megjithatë, nuk është ende koha për të festuar, – tha ai. – Është koha që qeveria të nisë të korrë rezultatet e punës së saj dhe të implementojë zgjidhje për sfidat me të cilat përballet vendi ynë, duke nisur që nga ekonomia jonë ende në vuajtje”.

Lideri i mazhorancës së Senatit, Harry Reid, i cili ka qenë në këtë post që prej vitit 2007, uroi republikanët për fitoren e tyre. “Mesazhi nga votuesit është i qartë. Ata duan që ne të punojmë së bashku”, tha Reid. “Do të përpiqem të shoh përpara drejt të punuarit me senatorin McConnell për të përmirësuar gjërat edhe për klasën e mesme të shoqërisë”.

Ndërsa nga Shtëpia e Bardhë gjithçka është në heshtje, edhe pse rezultatet janë bërë thuajse të qarta. Obama pritet të bëjë një deklaratë publike gjatë së mërkurës, mbi zgjedhjet që shumë veta do t’i konsideronin si refuzim të Presidencës së tij, ndërkohë që do të zhvillojë një takim me liderë bipartizanë gjatë së premtes, në përpjekje për të hartuar një rrugëzgjidhje për periudhën në vijim.

Top Channel