“Parashikimi ekonomik 2014”

05/11/2014 00:00

Zëvendëspresidenti Katainen dhe Komisioneri francez Moskovici publikuan “Parashikimin Ekonomik të Vjeshtës 2014”, që përmbledh faktet dhe të dhënat kombëtare për secilin vend anëtar të BE-së dhe, për herë të parë, ky dokument strategjik përfshin dhe Shqipërinë, meqenëse vendi gëzon statusin kandidat prej Qershorit të kaluar.

“Faktorët specifikë të vendeve po kontribuojnë në dobësinë e aktivitetit ekonomik në Bashkimin Europian dhe të eurozonës në veçanti. Faktorë të tillë përfshijnë probleme strukturore të rrënjosura thellë e të njohura më së miri që para krizës; kapërcim të borxhit publik dhe privat; fragmentim të vazhdueshëm financiar lidhur me krizën sunduese të borxhit; si dhe mospërmbushja dhe pasiguria për agjendën e reformave në disa prej shteteve tona anëtare”, tha Jyrki Katainen, zv/president i KE për Zhvillim dhe Punësim.

Dobësitë e vërejtura nga Komisioni në Francë e Itali vlerësohen se frenojnë disi shërimin e ekonomisë europiane. Raporti përcakton inflacion të ulët dhe punësim të lartë për zonën e Euros. Veprimtaria ekonomike në Europë parashikohet të forcohet gradualisht gjatë 2015-s dhe të përshpejtohet më tej në 2016-n.

“Ritmi aktual i veprimtarisë ekonomike nuk lejon përvetësim të shpejtë dhe masiv të kapaciteteve të tepërta. Rritja e punësimit në vitin 2014 dhe 2015 pritet që të jetë e kufizuar dhe duhet të fitojë shpejtësi në vitin 2016”, tha Pierre Moscovici, Komisioner për çështjet ekonomike e financiare, taksat e doganat.

Për Shqipërinë, 2013-a shënoi rritjen më të ulët ekonomike që prej 1997, vetëm 1,4%, shkaktuar, sipas raportit, nga ulja e kërkesës së brendshme dhe e investimeve, pasiguria për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të qeverisë ndaj biznesit, besimi i vogël dhe kreditë e dobta.

Veprimtaria ekonomike e vendit parashikohet të forcohet gradualisht, falë “programit ambicioz për pastrim të borxhit publik dhe të projekteve të mëdha, të planifikuara me mbështetjen e investimeve të huaja”, thuhet midis të tjerash në këtë dokument.

Raporti përmend defiçitin e madh buxhetor të 6 viteve të fundit në vend, problemet e kompensimit financiar për pronat, risqet fiskale dhe sektorin e pareformuar të energjisë, si dhe faktin që Shqipëria ka nivelin më të lartë rajonal të borxhit publik, përtej kufirit 70%.

Vendi vlerësohet për rritjen e punësimit për sektorin jobujqësor gjatë 9 muajve të parë të këtij viti dhe norma e papunësisë parashikohet të ulet në 5.4%, në 2016-n. Rënia e lehtë e papunësisë pritet të shkaktojë rritjen e konsumit të brendshëm. Inflacioni pritet të afrohet brenda niveleve të synuara të Bankës Qëndrore 2-4%.

Por, sipas raportit, nevojat për konsolidimin fiskal dhe nxitimi i pritshëm për rritjen e importeve tregon se qeveria dhe sektorët e jashtëm kanë të ngjarë të zvarrisin rritjen ekonomike për vitet e ardhshme. Nga 1.8% këtë vit, në 2016-n parashikohet një rritje ekonomike 3,5% për Shqipërinë, një shifër kjo dy herë më e lartë se parashikimi për vendet e Eurozonës (1.7%).

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel