Reformë për nxitjen e bujqësisë

05/11/2014 00:00

Qeveria prezantoi paketën për nxitjen e sektorit të bujqësisë, e ngjashme me atë të aplikuar për industrinë me material porositës. Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, tha se masat janë të ndara në tre shtylla kryesore.

“Reformë në sistemin fiskal, duke tentuar që të ulim barrierat doganore, fiskale, tarifore; përmirësim i klimës së biznesit, me lehtësira të procedurave të biznesit; si dhe reformë institucionale brenda sistemit, ku pjesë madhore e saj është reforma e shërbimit të veterinarisë, duke e vendosur atë në një kolonë të vetme administrative dhe duke e bërë pjesë tërësore të sistemit të kontrollit ushqimor”, tha ministri Edmond Panariti.

Një pjesë e 26 masave të kësaj pakete tashmë ka nisur implementimin, siç janë barazimi i TVSH-së në blerje dhe shitje, heqja e taksës doganore për importin e lëndëve të para dhe ambalazheve, heqja e taksës doganore në materialin biologjik për përmirësimin racor të blegtorisë, dhe ajo e taksës së qarkullimit dhe karbonit për sektorin e peshkimit.

Por, krahas nxitjes së bujqësisë, qeveria synon ta mbrojë atë duke ndëshkuar të gjithë ata, që zaptojnë tokën.

“Toka publike, pronë shtetërore, që janë në dispozicion të shtetit për të nxitur zhvillimin intensiv duke mbështetur projekte dhe që rezultojnë të ‘xanuna’. Kjo nuk mund të ndodhë dhe për këtë arsye ne do të fusim edhe këto çështje, që lidhen me disa të drejta të patjetërsueshme, me atë që ministri e quajti shenjtëria e pronës, që vlen si për pronën private edhe për atë publike, në Kodin Penal”, tha kryeministri Edi Rama.

Më tej, kryeministri Rama paralajmëroi një reformim të thellë të Drejtorive Rajonale, të cilat i cilësoi si struktura pasive, që aktualisht nuk janë në gjendje të udhëheqin procesin.

Top Channel