Përplasje të ashpra në Jeruzalem

05/11/2014 00:00

Apelet për qetësi dhe vetëpërmbajtje të shefit të ekzekutivit izraelit, Benjamin Netaniahu, nuk arritën të shmangin përflakjen e situatës në Jeruzalem, ku përleshje të reja raportohen mes protestuesve palestinezë dhe policëve izraelitë.

Skenë e përplasjeve të dhunshme është bërë sërish mali i Tempullit. Vendi i shenjtë u mbyll përkohësisht për vizitorët, por edhe pse u hap përsëri pakënaqësitë nuk u davaritën. Policia ka përdorur gazin lotsjellës për shpërndarjen e turmës, e cila qëllonte me gurë.

Tensionet në zonë u përshkallëzuan pas një tentative vrasjeje ndaj akvitistit të njohur hebre, rabinit Jehuda Glik, dhe mbylljes së malit të Tempullit, vendi më i shenjtë i Judaizmit, i cili strehon dhe vendin e tretë më të shenjtë të fesë islame, xhaminë Al-Aksa.

Siç sqaruan më vonë burime policore, dhjetra demonstrues të maskuar kanë nisur të qëllojnë mëngjesin e sotëm me gurë e fishekzjarre rojet e sigurisë, në hyrje të zonës në fjalë. Policët arritën ta shpërndajnë turmën me bomba tymuese, por nuk pati asnjë arrestim. Nga incidenti, disa prej tyre mbetën të plagosur. Në total, numri i të lënduarve është rreth 20.

Mbyllja e atij që palestinezët e njohin si Haram al Sharif, të enjten, ishte diçka tepër e rrallë dhe Presidenti Mahmud Abaz arriti deri aty sa ta cilësonte “një deklaratë për luftë”. Mali i Tempullit menaxhohet prej muslimanëve që nga koha e kryqëzatave, ndërsa Izraeli, i cili e mban të pushtuar Jjeruzalemin Lindor që prej vitit 1967, kontrollon hyrjen në kompleks.

Top Channel