Rusia teston raketën ndërkontinentale

05/11/2014 00:00

Rusia ka lëshuar me mision testues një raketë ndërkontinentale nga një nëndetëse e zhytur në Detin Barents, gjatë së mërkurës, si pjesë e kontrollit të besueshmërisë së forcave strategjike të marinës.

Lajmi bëhet i ditur nga Ministria ruse e Mbrojtjes, ndërsa agjencia e lajmeve “RIA” e ka cituar institucionin duke ofruar edhe të dhëna mbi raketën. “Sineva” e mbushur me lëndë djegëse të lëngshme, e cila mund të mbajë edhe lëndë bërthamore, është lëshuar nga nëndetësja “Tula” drejt rajonit testues të Kuras, në pjesën më të largët lindore, gadishullin e Kamçatkës.

“Sineva”, e cila ka një rreze veprimi prej 12 mijë km, hyri në shërbim në vitin 2007 dhe është pjesë e përpjekjeve për të parandaluar dobësimin e forcës bërthamore të Rusisë.

Presidenti Vladimir Putin ka nënvizuar rëndësinë e mosdobësimit të forcës bërthamore pas konfliktit me Perëndimin për shkak të krizës në Ukrainë, ndërkohë që Rusia ka zhvilluar disa stërvitje ushtarake gjatë kësaj kohe, që kanë alarmuar fuqitë perëndimore.

Top Channel