Haradinaj nuk përjashton protestat për rrëzimin e Thaçit

05/11/2014 00:00

I propozuari për kryeministër i koalicionit paszgjedhor në Kosovë, Ramush Haradinaj nuk e ka përjashtuar mundësinë e mbështetjes së iniciativave për protesta qytetare për të rrëzuar qeverinë e kryeministrit Hashim Thaçi.

“Dalja në protestë është e drejtë legjitime. Nëse shterren mekanizmat parlamentarë e politikë, qytetarët organizohen në protestë. Ai thërret Vetëvendosje apo tjetër kush, ajo është një e drejtë e pamohueshme e qytetarëve”, deklaroi Haradinaj.

Ai e tha këtë pas përfundimit të takimit të dytë brenda ditës me liderët e tjerë të koalicionit LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje.

Edhe pse sipas burimeve të Top Channel në takimin e liderëve ata kanë folur edhe për ridizajnim të marrëveshjes, por edhe për gjithë skenarët e mundshëm për daljen nga kriza, Haradinaj mohoi se është kërkuar nga ai që të heqë dorë nga posti i kandidatit për kryeministër.

“Ne nuk kemi biseduar për projektdizajnim të marrëveshjes. Projekti ynë serioz është ngritja e institucioneve, që fillojnë nga kryetari i Parlamentit, por nuk kemi diskutuar për ridizajnim të projekteve të bllokut”, nënvizoi Haradinaj.

Haradinaj sërish i bëri thirrje kryesueses Flora Brovina që të thërrasë seancën për konstituimin e Kuvendit, ndërsa ka theksuar se nuk preferon zgjedhje të reja parlamentare.

Top Channel