PD: Rama, përgjegjësi për vrasjet. Reagon Ministria e Brendshme

05/11/2014 00:00

Partia Demokratike akuzoi sërish kryeministrin Rama, si përgjegjësin kryesor për vrasjen e 4 personave ditën e martë në Tiranë.

“Edi Rama është sot para një përgjegjësie publike që e lidh me vrasjen e katërfishtë në Tiranë. Ai duhet të japë llogari para qytetarëve të vendit për këto fakte: Përse vrasësi ishte i shpallur në kërkim nga policia për vepra të rënda penale dhe nuk ndalohej? Kush e kishte porositur policinë të mos zbatonte urdhërin për ndalimin e vrasësit? Kush i kishte dhënë imunitet vrasësit që të bridhte lirshëm me pistoletë në brez? Pse ishte i paprekshëm vrasësi, një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe autor i një vrasjeje tjetër? Edi Rama ka përgjegjësi për vrasjen dhe duhet ta mbajë këtë përgjegjësi”, u shpreh deputeti demokrat, Aldo Bumçi.

Pas kësaj deklarate ka reaguar Ministria e Brendshme, e cila jep detaje në lidhje me ngjarjen e 25 prillit 2014 në Gjirokastër.

“Është bërë veprimi hetimor i paraqitjes për njohje me anë të fotografisë dhe të tre personat e pranishëm në momentin e ngjarjes kanë identifikuar fotografinë e të njëjtit person, e cila i përkiste Kostandin Xhuvanit, i cili është konfliktuar me Ergys Gashin, si dhe ka qëlluar me armë zjarri në ajër”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.

Më tej në të sqarojet se, po atë ditë është bërë shpallja në kërkim e personit të dyshuar për këtë ngjarje, Kostandin Xhuvanit, ndërsa materialet proçeduriale në ngarkim të tij i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprat penale të “kanosjes” dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake e municioneve”.

“Gjatë kohës që ky shtetas ka qenë në kërkim policor, nga organi i Prokurorisë nuk është vendosur masë sigurimi ndaj tij, ndaj dhe mbështetur edhe në Udhëzimin e Ministrit të Brendshëm nr. 56/1 datë 27.05.2013, “Për përdorimin e burimeve të informacionit, marrjen, administrimin, verifikimin dhe vlerësimin e të dhënave” nga Policia e Gjirokastrës në datë 27.05.2014 është bërë anulimi i kërkimit të këtij shtetasi për kalim të afatit policor”, mbyllet njoftimi i Ministrisë së Brendshme.

Ndërkaq, Prokuroria e Gjirokastrës lidhur me pushimin e hetimit në ngarkim të Kostandin Xhuvanit argumenton se, është provuar me anë të kartelës mjekësore dhe dëshmisë së mjekëve, se më datë 25 prill 2014, rreth orës 17:00, Xhuvani ka qenë në spitalin psikiatrik të Elbasanit, pasi kishte konsumuar një sasi të madhe alkooli.

Top Channel