Zgjedhja e anëtarëve të Këshillit të BSH-së, Nishani konsultime me Metën, Ramën e Bashën

05/11/2014 00:00

Paraditja e së enjtes do të jetë një ditë e ngarkuar me takime të
thirura nga kreu i shtetit, Bujar Nishani, në lidhje me plotësimin e
vendeve vakante në Këshillin Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Të ftuarit e Nishanit janë kreu i Kuvendit Ilir Meta, ai i ekzekutivit Edi Rama dhe kryetari i opozitës Lulzim Basha.

Ilir Meta në këtë takim ka zgjedhur të dëgjojë çfarë do të thotë presidenti. Këtë ai e la të kuptohet në deklarimin për median, ku u pyet për takimin e të enjtes në Presidencë.

“Takimi nuk është kërkuar nga unë, është kërkuar nga institucioni i Presidentit. Unë do të shkoj nesër me dëshirën më të mirë për të patur një shkëmbim mendimesh sa më konstruktiv për çdo çështje që do të ngrejë Presidenti. Pa asnjë diskutim që Presidenti ka të drejtën e tij të përmbushë të gjitha detyrimet kushtetuese dhe unë shpresoj edhe besoj që këtë gjë do ta bëjë në mënyrë konstruktive dhe të përgjegjshme”, tha Meta.

Meta: Reforma në drejtësi me konsensus

Maxhoranca është duke u treguar e kujdesshme në hapat e saj për reformën në drejtësi. Kjo u vë re në deklarimin e kreut të Kuvendit Ilir Meta kur u pyet nga Top Channel, se kur pritet ngritja e Komisionit Parlamentar për Reformën në drejtësi dhe a do të jetë funksional ky komision pa opozitën.

“Së pari nuk duhet humbur shpresa se opozita nuk do të rikthehet në Parlament, sepse Parlamenti është vendi i përfaqësuesve të gjithë qytetarëve dhe opozita ka vendin e saj të padiskutueshëm dhe të pazëvendësueshëm. Padyshim që Parlamenti duhet të luajë një rol kyç për reformën në drejtësi, ashtu sikurse ka luajtur dhe do të luajë rol në çdo reformë të rëndësishme sepse çdo reformë kalon përmes Parlamentit. Të gjithë e dinë që ne jemi një Republikë parlamentare. Dhe për opozitën vend më të mire për të thënë fjalën e saj dhe për të dhënë idetë e saj se sa Parlamenti nuk mund të ketë”, tha kryeparlamentari.

Këto komente zoti Meta i bëri pas konferencës të përbashkët për shtyp me homologun e tij çek,Jan Hamacek i cili tha se kjo vizitë do t’i japë impulse të reja marredhënieve mes dy parlamenteve. Hamacek theksoi se duhen intesifikuar import- eksportet mes dy vendeve. Ai propozoi vendosjen e një linjë direkte Pragë-Tiranë në mënyrë e cila do t’i shërbejë shtimit të turistëve.

Top Channel