Erdogan, pallat presidencial “si në ëndrra”

05/11/2014 00:00

Një pallat i ri prej 1000 dhomash është ndërtuar për Presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe sipas zyrtarëve turq kostoja e tij ka shkuar në rreth 615 milionë dollarë (385 mln paund), apo rreth dyfishi i përllogaritjeve fillestare.

I njohur si “Ak Saray” (Pallati i Bardhë), ai është ndërtuar në një kodër të pyllëzuar në pranë kryeqytetit Ankara, në më shumë se 150 mijë metra katrorë sipërfaqe. Erdogan e inauguroi pallatin e tij të ri më 30 gusht, pasi u bë President i vendit, në një kohë që partia e tij “AK” dominon politikën turke prej më shumë se 1 dekade.

Pallati është më i madh madje edhe se sa Shtëpia e Bardhë në Uashington, Kremlini në Moskë, apo Pallati i Versajës në Paris.

Ministri i Financave, Mehmet Simsek, i cituar nga gazeta turke “Hurriyet”, tha se janë paguar më shumë se 1,37 miliardë lira turke (615 mln USD), ndërkohë që rreth 135 milionë dollarë të tjerë priten të akordohen për të në vitin 2015 nga buxheti i shtetit.

Pallati ka korridore të veshur me mermer të kushtueshëm si dhe atriume, apo hapësira të mëdha të gjelbërta, ashtu sikurse dhe sisteme të teknologjisë së lartë për të parandaluar përgjimet elektronike.

Ambientalistët akuzojnë Erdoganin se po shpenzon paratë publike mbi projekte të mëdha ndërtimi në dëm të hapësirave të gjelbërta. Aktivistët mbrojtën në fakt sheshin ikonë të Stambollit, “Gezi Park”, edhe pse iu desh të përplaseshin me policinë në qershorin e vitit 2013.

Sipas “Hurriyet”, projekti për pallatin ka qenë i diskutueshëm, sepse qindra pemë janë prerë për të krijuar hapësirën e nevojshme për të, në një vend që konsiderohet si pyje rezervë të trashëguara nga babai i kombit, Mustafa Qemal Ataturku.

Ministri i Financave tha gjithashtu se 185 milionë dollarë të tjera do të shpenzohen për një avion presidencial të ri “Airbus A330-200”.

Sa për kuriozitet, pallati i vjetër modest “Cankaya Palace” në Ankara do të përdoret tashmë nga kryeministri Ahmet Davutoglu.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel