“Dua të jem më i miri në histori”

05/11/2014 00:00

Cristiano Ronaldo mori të mërkurën Këpucën e Artë (çmim që e ndan me Luis Suarez) pasi sezonin e kaluar shënoi 31 gola në kampionatin spanjoll. Kjo është hera e tretë që sulmuesi portugez e fiton këtë çmim, po aq sa e ka fituar edhe Leo Messi.

Cmimi iu dorëzua nga presidenti i Realit, Florentino Perez. Në ceremoni ishin të pranishëm drejtues të lartë të klubit madrilen dhe disa nga lojtarët e skuadrës.

Në konferencën për shtyp pas dorëzimit të çmimit, Cristiano deklaroi se do të vazhdojë të stërvitet fort për t’u bërë futbollisti më i mirë në histori: “Unë dua të jem më i miri në histori, por secili ka mendimin e tij. Besoj se do ia dal mbanë. Po e shkruaj historinë time hap pas hapi dhe e sigurtë është që në fund të karrierës sime do të jem të paktën një nga më të mirët.”

Sulmuesi foli edhe për Topin e Artë FIFA, çmim që do të jepet në muajin janar. Pasi u pyet nëse do të habitej në rast se nuk do e fitonte, CR7 u përgjigj: “Nuk më habit më asgjë në futboll. Jam i përgatitur për çdo gjë. Do më pëlqente ta fitoja për herë të tretë këtë çmim, por nuk jam i fiksuar. Ka kohë deri atëherë dhe unë duhet të vazhdoj të shënoj.”

Top Channel