Atentat në zemër të Jeruzalemit

05/11/2014 00:00

Një person ka vërshuar drejt turmës me makinën e tij në Jeruzalemin Lindor, duke shtypur kalimtarë të shumtë, njëri prej të cilëve ka gjetur vdekjen.

Të paktën 9 persona të tjerë mbetën të plagosur nga agresioni, për të cilin autoritetet dyshojnë se ka qenë një sulm terrorist.

Ngjarja ka ndodhur disa orë pas përleshjeve të dhunshme që u verifikuan në vendin e shenjtë të qytetit. Policia qëlloi për vdekje të dyshuarin, i cili sipas raportimeve ishte një palestinez.

Një sulm i ngjashëm ndodhi në të njëjtin vend dy javë më parë, kur një palestinez vrau një grua dhe një foshnje duke i shtypur ata me automjetin e tij.

Në Jeruzalem ka pasur së fundmi një përshkallëzim të tensioneve, të cilat kulmuan me atentatin me armë zjarri ndaj rabinit Yehuda Glick, i cili është ende në gjendje kritike.

Rabini Glick është një aktivist i njohur për të drejtat e hebrejve për t’u lutur në vendin e shenjtë, gjë që aktualisht është e ndaluar.

Objekti i kultit, i njihur si Tempulli Malor për hebrejtë dhe Al Haram al Sharif për palestinezët, është më i shenjti dhe përmban në të edhe xhaminë e famshme Al Aksa, objekti i tretë më i shenjtë për myslimanët.
Kompleksi në fjalë u mbyll përkohësisht më herët për vizitorët pasi disa dhjetëra palestinezë protestuan duke u përleshur edhe me policinë.

Në sulmin e së mërkurës, policia deklaroi se automjeti shtypi rreth 10 persona, teksa ata po zbrisnin nga një tram, në linjën që kalon mes lindjes dhe perëndimit të Jeruzalemit.

Më pas drejtuesi zbriti dhe filloi të godiste me një shufër hekuri të lënduarit, derisa u qëllua për vdekje nga një agjent policie.

Raportohet se autori vinte nga një kamp refugjatësh në lindje të qytetit dhe ishte mbështetës i lëvizjes islamike të Hamas, por kjo nuk është konfirmuar.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel