Pakistan, vrasje për blasfemi, 43 të arrestuar

05/11/2014 00:00

Policia pakistaneze ka arrestuar të paktën 43 të dyshuar në lidhje me aktin makabër të një dite më parë, kur një çift i krishterë u dogj nga turma në mes të qytetit, pasi u akuzua për përdhosje të Kuranit.

Raportimet mediatike sugjerojnë se fillimisht çifti u rrah për vdekje nga qindra banorë dhe më pas trupat u dogjën në një furrë tullash, në provincën Punxhab.

Kryeministri Nawaz Sharif e cilësoi aktin si “një krim të papranueshëm”. Policia thotë se të dyshuarit do të shfaqen së shpejti para gjykatës në qytetin Lahore.

Akuzat për blasfemi përdoren shpesh herë në Pakistan për larje hesapesh personale, apo për të eleminuar anëtarët e pakicave.

Rreth 200 vetë në Lahore, kryesisht nga komuniteti i krishter dhe nga organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, protestuan gjatë ditës kundër vrasjeve.

“Masakrat e të krishterëve në emër të blasfemisë duhet të marrin fund” dhe “qeveria nuk u siguron mbrojtje minoriteteve” ishin disa nga parullat e përdorura.

Ligji i blasfemisë në Pakistan, siç njihet ndryshe sharja e Zotit, përmban mundësinë e lartë të dënimit me vdekje për këdo që fyen Islamin.

Që prej viteve ’90, një numër i madh të krishterësh janë shpallur fajtorë për përdhosje të Kuranit. Ndërsa shumica e tyre janë dënuar me vdekje, shumë dënime të tjera janë hedhur poshtë për shkak të mungesës së provave.

Megjithatë, korrespondentët e mediave të huaja deklarojnë se, edhe akuza më e vogël për blasfemi, apo për mbrojtjen e dikujt që e ka kryer atë, mjafton që një individ të bëhet objekt i sulmeve barbare nga banorët.

Top Channel