Energjia, “paradhënie” për 204 mijë familje

05/11/2014 00:00

Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri thotë se ligji i ri për energjinë
përcakton për herë të parë në mënyrë të qartë shtresat vulnerabël, për
të cilat Qeveria do të ketë detyrimin të subvencionojë energjinë
elektrike.

Ato janë familjet me ndihmë ekonomike, kryefamiljarë në pensione pleqërie e invaliditeti, familje që kanë në përbërje persona me aftësi të kufizuara, të verbër, para e tetra plegjikë, si dhe punonjës buxhetorë me pagë nën 35 mijë lekë në muaj.

“Qeveria shqiptare edhe në buxhetin e vitit që po diskutohet në Kuvend dhe buxheti i vitit tjetër, nisur edhe nga reforma e pritshme dhe eliminimi i mundshëm i bllokut të parë të energjisë dhe daljen me një cmim unik, patjetër të gjitha shtresat që preken janë mbi 5 kategoritë, të cilat do të mbrohen direkt qeveria shqiptare, nëpërmjet buxhetit të përcaktuara dhe nëpërmjet parave paradhënie në të gjitha pagesat që ata marrin për fondin, qoftë për papunësinë, qoftë për ndihmën ekonomike, qoftë për fondet e tjera të konsumatorëve në nevojë”, tha Gjiknuri.

Ministri tha se Qeveria është e vendosur të likuidojë borxhin që Koorporata Elektro-energjetike Shqiptare u ka HEC-eve të vogla e që në total kap shifrën e 55 milionë dollarëve.

“Brenda këtij viti do t’i mbyllim edhe këto probleme, përfshi edhe mundësinë financiare për të likujduar të gjitha faturat e grumbulluara nga hidrocentralet private”, tha Gjiknuri.

Me ndryshimet në legjin për energjinë këto HEC-e do të jenë të detyruara t’i shesin energjinë Operatorit të Shpërndarjes dhe jo më Koorporatës Elektro Energjetike Shqiptare.

Top Channel