Dalja publike e Luiza Xhuvanit na ka pikëlluar të gjithëve, veçanërisht nënat. Këndvështrimet mund të jenë të ndryshme, por shqetësimi është një i vetëm: a do t’ia dalim të jemi prindër të mire? A do t’ia dalim të rrisim fëmijë që nuk do të na e nxijnë faqen? A do të arrijmë të shmangim ndarjen për së vdekuri apo për së gjalli me krijesat që i kemi sjellë në jetë për shkaqe që vijnë edhe si pasojë e sjelljes sonë prindërore?

Të gjithë, teksa kemi parë deklaratën e dhimbshme të një nëne zemërcopëtuar, qoftë edhe për një çast të vetëm mund ta kemi përfytyryar veten në këmbë të saj, kërrusur nga pesha e madhe e gjëmës dhe tmerri i një të ardhmeje pa njeriun e dashur. Por, mund ta kemi vënë veten edhe në këmbë të atyre katër nënave që mbetën pa djem në orët e para të së martës.

E ndërsa kjo ngjarje, për arsye të personave të përfshirë në të, mori shumë hapësirë mediatike dhe publicitet të mos harrojmë edhe ata djem e vajza që në moshë të hershme, për arsye nga më të ndryshmet, marrin apo humbasin jetën edhe për shkak të një edukate prindërore të munguar, kujdesi inegzistent, dashurie e përkëdheljeje të pashprehur, indiference apo më keq akoma dhune fizike e psikologjike. E në këto orë të errëta, kur një ngjarje tragjike na ka lënë pa gjumë dhe na ka futur në mendime të thella për misionin më fisnik e më të vështirë që kanë prindërit: mirërritjen e fëmijëve të tyre. Është mirë që gjithë sa ndodhi ta marrim si një zile alarmi.

Të kthejmë sytë te fëmijët tanë me më shumë dashuri e përkushtim se kurrë, me më shumë përgjegjshmëri dhe sakrificë.

T’i kthehemi atij momentit të parë, kur i sollëm në jetë e kur bashkë me dhuratën e madhe që na u blatua, na u përcoll edhe një përgjegjësi e jashtëzakonshme. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se ajo çka do të bëjmë me fëmijën tonë do të ketë një ndikim të jashtëzakonshem jo vetëm tek ai, por edhe të çdokush që ai do të takojë në jetë dhe jo për një ditë të vetme, jo për një muaj apo një vit, por për gjithë jetën.

Top Channel