65% e familjarëve të të sëmurëve me kancer përjetojnë depresion

05/11/2014 00:00

Rreth 65% e familjarëve të të sëmurëve me kancer përjetojnë depresion në nivele anormale dhe 80% e tyre përjeton ankth në të njëjtën shkallë. Sipas një studimi të pedagoges së shkencave sociale Veronika Duci, i cili ka në fokus familjarët e pacientëve të sëmurë me kancer, më të rrezikuarit janë ata që zakonisht i quajnë “brezi sanduiç”. Brezi me përgjegjësi të dyfishta apo trefishta që jeton nën presionin e përkujdesjes për prindërit dhe nga ana tjetër, i fëmijëve.

Janë njerëzit që sipas studimeve mbajnë mbi shpatulla më shpesh detyrën e përkujdesjes, veçanërisht nëse një anëtar i familjes sëmuret me një sëmundje të gjatë e kronike, siç është dhe ajo e kancerit. Mosha mbizotëruese e përkujdesësve në studim është ajo nga 26 vjeç deri në 45 vjeç dhe pjesa më e madhe e tyre ishin gra.

Krahasuar me burrat, ato përjetonin më shumë shqetësime në shëndetin e tyre mendor dhe në nivelet e ankthit e të depresionit dhe kishin cilësi jete dhe mbështetje nga shoqëria më të ulët.

Përsa i përket mbështetjes nga shoqëria, rreth 43% e pjesëmarrësve raportuan perceptimin se shoqëria nuk ishte një burim mbështetjeje.  

Në këtë studim, gjysma e përkujdesësve kanë raportuar se gjatë një dite kujdesen rreth 7 orë a më shumë për pacientin. Ndërsa në një shtrirje kohore më të gjerë, kjo kohë varion nga 3 muaj deri mbi 2 vjet. Në përpjekje për të përmbushur kërkesat fizike të pacientit, familjarët mund të çlodhen shumë pak ose aspak dhe zakonisht nuk kujdesen për shëndetin e tyre.

Zakone të shëndetshme si ushqyerja e shëndetshme, ushtrimet fizike etj. anashkalohen. Për këtë arsye, tek ata mund të lindin probleme shëndetësore ose mund të përkeqësohen ato ekzistueset.  

Nga ana tjetër, një ndikim shumë të madh në cilësinë e jetës kanë edhe të ardhurat, sidomos në rastin kur janë pjesë e familjes së pacientit dhe nuk jetojnë në një familje tjetër. Trajtimi i kancerit është i kushtueshëm edhe në Shqipëri, ndonëse shërbimi spitalor është falas.

Vetëm 11% jetonin me të ardhura mbi 60 mijë lekë në muaj, ndërsa një përqindje shumë e lartë e përkujdesësve jetojnë me të ardhura familjare minimale. Konkretisht, 63% ishin të papunë. Studimi u krye në fund të vitit 2012 në spitalin Onkologjik, ku u pyetën rreth 400 familjarë të të sëmurëve me kancer nga mosha 18-66 vjeç.

Në vendin tonë, rreth 3500 persona diagnostikohen çdo vit me kancer. Minimumi një person kujdeset për ta duke marrë përsipër një ngarkesë të madhe që ndikon në cilësinë e tij të jetës dhe të personave që e rrethojnë.

Top Channel