“Në vend të replikave me opozitën e munguar”

05/11/2014 00:00

“Në vend të replikave me opozitën e munguar”. Ky është titulli i një editoriali publikuar nga kryeministri Edi Rama në Facebook, ku që në fillim ai thotë se, nuk është i habitur nga mënyra se si flasin deputetët e opozitës, të cilët sipas tij hiqen sikur kanë rënë nga qielli e jo nga pushteti.

“Prandaj nuk është e habitshme dhe pse vazhdojnë të jenë përfaqësuesit publikë të jetës së ulët që, deri dje, ia imponuan një populli të tërë me forcën brutale të pushtetit që kishin”, thotë Rama.

Më tej në editorial Rama jep këtë vlerësim për opozitën: “Morën nga populli në zgjedhje atë që merituan, mu ashtu siç e merituan. Por natyrisht jo për të qenë edhe në opozitë, po aq të ulët sa ç’ishin në pushtet në raportet e tyre me të vërtetën, me kombin, vendin, njerëzit apo dhe me kundërshtarët në fund të fundit; po për të qenë zëri i fortë qortues i Shqipërisë ndaj qeverisë dhe alternativa e re qeverisëse e këtij vendi. Janë sot opozita më e dobët, më e sajuar, më pa besueshmëri që mbahet mend në Shqipëri. Dhe e para opozitë që kokën e ka në shtëpi dhe trupin nën shtëpinë e kokës”, thotë Rama.

Duke iu referuar deputetëve të opozitës, ai shkruan se ata kanë ikur nga Parlamenti “me ca arsye të vajtueshme” për partinë që lindi nga një rebelim studentor kundër komunizimit.

“Janë mbyllur në Shtëpinë e Oficerëve e për fat të keq i ka zënë sëmundja ngjitëse e asaj godine, ku izolimi nga shoqëria dhe fryrja butaforike janë simptomat më të qarta. Janë hapur në rrjetet sociale, ku janë shkrirë e bërë një me kategorinë e atyre që përdorimin e fjalëve të pista e jetojnë si shprehjen më domethënëse të trimërisë. Bubullojnë para çdo mikrofoni për gjëmat e hatatë që po i ndodhin orë e çast Shqipërisë, duke recituar me patetizëm luftarak ca deklarata që tek veshët e publikut mbërrijnë si zhurma e prodhuar nga njeriu prej overdozës së fasuleve. Dhe ah po, nuk harrojnë që në fund të çdo bubullime kësisoji të ftojnë shqiptarët në protesta!”, vijon shefi i qeverisë.

Në keto kushte ku ndodhet opozita, Rama shpreh mendimin se duhet rilindur opozita.

“Më vjen keq që s’kemi opozitë, që s’jemi të sfiduar me asnjë vizion alternativ, asnjë program konkurues, asnjë projekt të ri politik. Madje, sinqerisht, me asnjë ide të vetme që do të na vinte në pozitë para publikut si më e mirë apo më tërheqëse për njerëzit se sa e jona. Zero! Ky është shqetësimi që desha ta ndaj publikisht, në vend të replikave me opozitën e munguar. Sepse unë hyj tek ata që besojnë se një opozitë e dobët është fatkeqësi për qeverinë dhe pa një opozitë të besueshme, mund të jetë shumë më e lehtë ta mbash pushtetin por është padyshim, shumë më e vështirë ta përdorësh atë deri në fund për të bërë në vijimësi gjërat e duhura”, përfundon Rama.

Top Channel