Bankat rrisin kreditimin për biznesin

05/11/2014 00:00

Dy vitet e fundit Shqipëria është përballur me një ngadalësim të fortë të kredisë për ekonominë. Nga ritmet shpërthyese përpara krizës, vitin e kaluar huatë për biznesin dhe individët hyn në territor negativ. Për bankat, arsyet e këtij ngërçi janë disa.

“Janë një sërë faktorësh specifik që kanë kushtëzuar kreditimin këto dy vitet e fundit. Ekzistenca e sektorëve problematikë në krizë si ndërtimi, ngadalësimi i rritjes ekonomike, kërkesa e ulët nga konsumatorët dhe biznesi, por edhe investimet e ulëta publike dhe private. Ky ambient ka bërë që edhe bankat të jenë më të kujdesshme”, thotë Periklis Drougkas, Drejtor i Përgjithshëm i “Alpha Bank”.

Sipas Drugkas ky ngërç mund të ketë përfunduar në fund të gjashtëmujorit të parë, kur kredia doli sërish nga normat negative të rritjes.

“Nga korriku i vitit 2014-ës sistemi financar ka shënuar një pikë kthese. Kredia u rikthye më e lartë se një vit më parë dhe që nga ajo kohë ne kemi parë një zgjerim konstant të saj. Ky proces është ndihmuar nga shlyerja e detyrimeve të prapambetura dhe normat pozitive të rritjes ekonomike. Unë jam optimist dhe besoj se kredia do të vazhdojë të rritet më shpejt gjatë muajve në vazhdim, por ne si banka private do të donim të shihnim më shumë projekte të sukseshme nga biznesi që t’i financojmë”, deklaron Drugkas.

Por Edvin Libohova, një njohës i mirë i sistemit financiar, thotë se rigjallërimi i kredisë kërkon edhe masa ligjore, veçanërisht kufizimin e bankave për të investuar në bono thesari, çka  i bën ato të painteresuara për të kredituar privatët.

“Nëse tregu bankar ka investuar asetet e tij 42 përqind në kredi, ka rreth 33 përqind të tjera në letra me vlerë, që janë bono thesari, në lek, valutë, brenda dhe jashtë. Nëse Banka e Shqipërisë do të vendoste një kriter jo më shumë se 20 përqind e totalit aktiv në letra më vlerë, do të kishim lirim të fondeve nga bonot e thesarit që do të shkonte drejtpërdrejtë tek kredia në një shumë prej 1.4 miliard dollarësh”, thotë Libohova.

Ai shton se  financimi i borxhit të qeverisë mund të bëhet drejtpërdrejtë nga qytetarët dhe jo të kalojë përmes bankave si sot. Sipas tij, veç masave ligjore, edhe vetë bankat me biznesin duhet të ndërtojnë një marrëdhënie të re.

“Për shoqatën e bankave do të rekomandoja që ajo duhet të ulet sot në tregun e sigurimeve dhe të gjejë gjuhën për një kuadër ligjor të përshtatshëm përsa i përket mbështetjes së bujqësisë. Kemi thënë që bujqësia është prioritet, por nuk ka fonde për bujqësinë sepse nuk ka treg sigurimesh efektiv dhe ka risqe shumë të mëdha të cilat banka nuk mund t’i marrin përsipër sot”, deklaron Libohova.

Ekspertët thonë se ecuria e kredisë do të jetë një faktorë përcaktues për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe daljen e saj nga kriza.

Top Channel