Basha: Rama toleroi djalin e miqve të tij

05/11/2014 00:00

Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, kreu i opozitës, Lulzim Basha ka vijuar sulmin ndaj kryeminitrit Edi Rama, duke e bërë atë përgjegjës për vrasjen e katërfishtë mëngjesin e së martës.

“Më 26 prill të këtij viti, vrasësi, djali i miqve të Edi Ramës, ishte shpallur në kërkim. Po pse nuk arrestohej? E tha vetë kryeministri: prindërit e tij i ka miq të ngushtë. Ky është fakti, më kokëfortë nuk mund të bëhet. Nëse policia nuk do të tërhiqej para lidhjeve e miqësive të kryeministrit, vrasësi do të ishte atje ku e ka vendin sipas ligjit. Dhe sot nuk do të kishim viktima, dramë në 4 familje dhe një shoqëri të tërë të tronditur nga pasiguria publike”, shkruan Basha në Facebook.

Më tej kryetari i Partisë Demokratike shprehet se opozita po bën detyrën për interesin më të lartë të qytetarëve: denoncimin e lehtësisë që gjen krimi dhe lidhjes së drejtpërdrejtë që ka me qeverinë, me kryeministrin vetë.

“Fjala e opozitës ka prishur qetësinë e Edi Ramës, por ne kemi një mision më të rëndësishëm që na udhëheq”, mbyllet reagimi i Bashës.

Top Channel