Obama: Do bashkëpunoj me republikanët

05/11/2014 00:00

“Dua të punoj me Kongresin e ri. Do të punojmë së bashku në dy vitet e ardhshme”. Janë këto fjalët e para të presidentit amerikan, Barack Obama, në konferencën për shtyp të mbajtur pas zgjedhjeve që i dhanë republikanëve kontrollin në Kongres.

Presidenti ka pranuar se republikanët kanë pasur një “natë të mirë elektorale” dhe ka ritheksuar se në ditët e ardhshme, të premten, do të takohet me krerët e Kongresit.

“Amerikanët kanë dërguar një mesazh të qartë: duhet të punojmë shumë dhe duhet të përqendrohemi tek aspiratat e tyre, jo tek tonat. Jemi diçka më shumë se një hartë me të kuqe dhe blu. Ne jemi Shtetet e Bashkuara, mundemi dhe duhet të punojmë më shumë së bashku”, ka thënë Obama.

Ai është shprehur i vetëdijshëm se me repulikanët do të ketë mosmarrëveshje, por nga ana tjetër është shprehur i bindur se të dyja palët mund të gjejnë rrugën e bashkëpunimit, gjë që sipas tij do të rrisë besimin reciprok dhe do t’u kthejë besimin amerikanëve.

“Kongresi do të miratojë disa ligje që unë nuk do të mund t’i firmos, ndërsa unë do të marr vendime që me siguri Kongresit nuk do t’i pëlqejnë, por ka ende fusha ku mund të bashkëpunohet”, ka nënvizuar Obama.

“Shtetet e Bashkuara kanë bërë progrese reale që nga kriza financiare, me papunësinë dhe defiçitin që kanë rënë”, ka vijuar më tej shefi i Shtëpisë së Bardhë.

Ai ka shtuar se do të vazhdojë të punojë “në mënyrën më të mirë të mundshme” në dy vitet e ardhshme, për të mundësuar që prosperiteti të shpërndahet tek të gjithë dhe i kërkoi Kongresit më shumë fonde për të luftuar epideminë e Ebolës dhe ISIS.

Presidenti amerikan i është përgjigjur edhe liderit të republikanëve në Senat, që më herët e paralajmëroi kreun e shtetit se një veprim i njëanshëm mbi reformën e emigracionit do të ishte një gabim i rëndë.

“Do të më pëlqente një veprim i Kongresit, por do të veproj për dekretin brenda fundit të vitit”, ka thënë Obama.

Top Channel