Vdekja e gruas në ashensor, flet burri: Policia manipuloi ngjarjen

06/11/2014 00:00

Vdekja tragjike e një gruaje në Lezhë, e cila u gjet në gropën e
ashensorit të një pallati ka sjellë reagimin e ashpër të familjarëve të
saj, të cilët shprehen se policia ka manipuluar ngjarjen, pasi
46-vjeçarja ka vdekur atë ditë dhe jo tre ditë para se të gjendej nga
punonjësi i pallatit.

Akuzat janë hedhur nga bashkëshorti i viktimës, ndërkohë që dëshmia e tij është përforcuar edhe nga banorët e zonës, të cilët shpjegojnë se ata e kanë parë viktimën vetëm një ditë para ngjarjes.

Viktima Lula Basha, 46 vjeçe, u gjet e pajetë në gropën e ashensorit të një pallati në Lezhë mëngjesin e së dielës dhe policia deklaroi për të se ajo ishte gjetur rastësisht nga banorët për shkak të kundërmimit, pasi mendohet se kishte të paktën tre ditë që kishte humbur jetën. Madje, pas kryerjes së ekspertizës mjekoligjore, policia tha se mendohet që ajo ka rënë aksidentalisht dhe se nuk kemi të bëjmë me ndonjë krim, duke e mbyllur këtë çështje.

Por, tre ditë pas kësaj ngjarjeje, ka reaguar familja e saj, duke akuzuar policinë se ka manipuluar ngjarjen për të fshehur të vërtetën. Familjarët kanë deklaruar se ajo ka humbur jetën mëngjesin e së dielës dhe nuk është e vërtetë që trupi i saj ka qenë i dekompozuar për shkak se ka humbur jetën kohë më parë.

Bashkëshorti i viktimës, Ndue Basha, ka reaguar ashpër duke hedhur një lumë akuzash ndaj bluve të Lezhës, që, sipas tij, nuk ka ndaluar akoma personin përgjegjës të kësaj tragjedie. Sipas tij, në pallatin ku ndodhi ngjarja nuk ka pasur siguri teknike. Ai ka kërkuar që të zbardhet e vërteta e ngjarjes dhe të vendoset drejtësia në vend, pasi në të kundërt do të jetë i detyruar që të bëjë vetëgjyqësi.

“Gruaja ime ka dalë mëngjesin e së dielës nga shtëpia për të shkuar në pazar. Më pas, ajo do të shkonte te një afërme e jona, e cila banon në katin e katërt të pallatit, ku u gjet e pajetë. Sipas policisë, ajo mendohet se ka rënë nga kati i tretë, pasi ka hapur derën e gabuar, e cila duhej të ishte e mbyllur dhe për këtë mban përgjegjësi administratori i pallatit. Punonjësi i pallatit ka vënë re se nga rënia e gruas sime janë çarë disa tuba uji dhe është bërë pellg në fund të gropës së ashensorit. Ai ka thirrur punonjësin për të zgjidhur problemin, por kur kanë parë poshtë, kanë zbuluar trupin e pajetë të gruas sime. Deklarata e policisë që ka thënë se ka vdekur përpara nuk qëndron. Është një e pavërtetë e madhe, një mashtrim. Pas këtij veprimi të policisë qëndron administratori i pallatit, sepse ai mund të ketë paguar për këtë punë, sepse do të mbyllë punët e veta. Ai është fajtor për këtë ngjarje. Po nuk e zgjidhi shteti, do ta zgjidh vetë me vetëgjyqësi”, u shpreh Ndue Basha.

Deklarata e tij është përforcuar edhe nga banorët, duke hedhur poshtë akuzat se ajo kishte disa ditë që ishte zhdukur, por që familja nuk e kishte denoncuar humbjen e saj. Banorët rrëfejnë se e kanë parë 46-vjeçaren, jo më larg se një ditë para zbulimit të trupit të pajetë. “Një ditë përpara, komshia ka kaluar me një karrocë përballë dyqanit dhe nuk është e vërtetë kjo që thotë policia, se ka vdekur para 72 orësh, apo dy muajsh. Këto janë mashtrime”, shprehet Mark Mëhilli, fqinj i viktimës. Trupi i pajetë i 46-vjeçares Lula Basha u gjet mëngjesin e së dielës, dhe pas ekspertizës mjekoligjore, ngjarja u vlerësua si aksidentale.

Top Channel