Xhuvani: Po blija duhan, kur ndodhën vrasjet

06/11/2014 00:00

“Më lini rehat, nuk e kam idenë për cilat vrasje flisni. Nuk di gjë”. Me
këto përgjigje është mbrojtur Kostandin Xhuvani, i akuzuari kryesor për
vrasjen e katër personave të martën në mëngjes në Tiranë.

Burimet pranë Policisë së Tiranës thanë për gazetën “Shqip” se djali i Luiza dhe Gjergj Xhuvanit, nuk e ka pranuar autorësinë e vrasjeve të Arbër Demirajt, Edison Jahos, Paolo Azolës dhe Enea Xhajit, ndërsa ka thënë se më gjatë do të shprehet në një moment të dytë, pasi të jetë konsultuar me avokatin. Për t’i shpëtuar akuzës për vrasje të 4-fishtë, 26-vjeçari ka formuluar shkurt një alibi, me të cilën mendon se do t’i hiqet përgjegjësia ligjore për atë çfarë ka ndodhur, por në fakt të gjitha dëshmitë dhe provat shkencore deri më tani duket se flasin për një autor të vetëm të masakrës, pikërisht Xhuvanin. Një tjetër moment kyç, që e ngarkon me përgjegjësi të plotë penale 26-vjeçarin është edhe dëshmia e Erald Sidës, i cili u ka thënë oficerëve të policisë se kishte dëgjuar prej Xhuvanit, që i thoshte që i vrau. Më tej, edhe rrëfimet e 9 pjesëtarëve të stafit, por edhe ekspertiza paraprake balistike e armëve, si dhe filmimet e kamerave të bizneseve përreth si dhe ato shtetërore, në Rrugën e Elbasanit, duket se konfirmojnë të njëjtin përfundim, atë të fajësisë së Kostandin Xhuvanit, krim për të cilin ai rrezikon burgim të përjetshëm. Policia e Tiranës liroi një prej të dyshuarve fillestarë, Albano Bllacaj, pasi nuk gjeti prova për vrasje dhe mbajti në ambientet e brendshme Erald Sidën, me akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit.

 

Dëshmia e Xhuvanit

I ndodhur në një ambient të izoluar, 26-vjeçari që akuzohet për vrasjen e katër personave, mësohet se gjatë këtyre orëve ka shfaqur një arrogancë tej limiteve përballë grupit hetimor, tani që cilësimi prej “të forti” është më i dukshëm se kurrë. Teksa e mohon komplet përfshirjen e tij në masakër, Kostandin Xhuvani u ka thënë ekspertëve të policisë se nuk ndodhej në lokalin “Ante Grand”. Burimet policore thanë se mes të tjerave, ai pretendon se në atë moment ndodhej në një lagje tjetër. “Nuk di gjë për vrasjen. Më lini rehat, po më akuzoni kot. Kur ka ndodh ngjarja unë isha te ‘Brryli’ për të blerë duhan. Vetëm kur u ktheva në lokal pashë të vrarët”, – mësohet të jetë shprehur Xhuvani. Nga ana tjetër, duket sikur 26-vjeçari fillimisht nuk kishte shfaqur kundërshtime për praninë e tij në lokal atë natë, por shprehet se para se të ndodhte masakra ishte larguar nga ai ambient dhe ishte kthyer më vonë. Për sqarime të mëtejshme, Xhuvani thotë se do t’i japë ato më vonë, pasi të jetë konsultuar me avokatin.

 

Dëshmia e Sidës

Erald Sida, një nga të akuzuarit fillestarë për vrasjen, vijon të mbahet në ambientet e brendshme të Policisë së Tiranës, me akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit. Në lidhje me akuzën e vrasjes, duket se ai është i prerë, teksa mohon çdo implikim të tij në masakër, gjatë minutave fatale. “Unë s’e kam idenë për çfarë vrasje më akuzoni ju. Para se të ndodhte ngjarja, unë kisha dalë te liqeni. Isha me një vajzë në makinë dhe po bëja seks. Jam larguar para orës 04.00 dhe u ktheva pak pasi kishte ndodhur masakra”, – mësohet se ka deklaruar Sida. Nga ana tjetër, duket se në momentet e para të arrestimit, 24-vjeçari Sida u ka rrëfyer oficerëve të policisë se sapo e kishte parë Xhuvanin, ai i kishte thënë se “i vrava”. Më tej, ai tha se kur është kthyer ka gjetur Arbër Demirajn të plagosur rëndë. Së bashku me Kostandinin dhe Albano Bllacajn, e nxorën jashtë dhe e futën në makinë. Sipas Sidës, sapo ka kaluar një patrullë policie, Kostandini dhe Albano u larguan, duke e lënë shokun e tyre në mjetin e tij, tip ML. Ndërkaq, deri tani, mbi 24-vjeçarin Erald Sida rëndon vetëm akuza e “shfrytëzimit të prostitucionit”.

 

Lirimi i Bllacajt

Albano Bllacaj është lënë i lirë, pasi hetuesit nuk kanë gjetur elemente që e përfshijnë atë në konfliktin me armë. Albano është djali i tezes së Arbër Demirajt, një nga viktimat, që duket sikur u vra gabimisht gjatë masakrës. Nga dëshmia e tij paraprake, por edhe në vazhdim për policinë, Bllacaj ka përshkruar disa momente kryesore, që ndihmuan hetimet, në zbërthimin e mekanizmit të plotë të ngjarjes. Bllacaj ka thënë se “mesa mbaj mend, Kostandini dhe një person tjetër nga tavolina që kishin afër, bënë fjalë për një sasi kokaine dhe më pas Kostandini doli nga lokali. Bashkë me Arbrin shkuan dhe hapën derën e makinës, që e kishte parkuar afër lokalit dhe morën pistoletën”. Pasi verifikuan të gjitha rrethanat e ngjarjes, ekspertët e grupit hetimor nuk gjetën ndonjë provë apo dëshmi që ta implikonin 19-vjeçarin me këtë krim.

 

Provat për Xhuvanin

Të paktën dhjetë dëshmitarë kanë përmendur vetëm një emër, kanë drejtuar gishtin ndaj një njeriu dhe pretendojnë se kanë parë që një person i kreu vrasjet, Kostandin Xhuvani. Nëntë anëtarët e stafit të lokalit “Ante Grand”, ku përfshihen balerinat, kamerieret, truproja Andon. B, si dhe Albano Bllacaj janë personat që pretendojnë se kanë parë Xhuvanin të qëllonte me armë. Gazeta “Shqip” publikoi dje një dëshmi të një personi brenda lokalit, i cili tha se Kostandin Xhuvani qëlloi me një plumb në zemër Edison Jahon, plumb nga i cili u vra edhe Enea Xhaj dhe më tej i qëlloi të dy në kokë. Më tej, efektivët e policisë, të cilët e arrestuan, janë shprehur se e panë Xhuvanin me pistoletë në dorë, teksa tentonte t’i korruptonte dhe të largohej, duke iu përgjëruar për jetën, por megjithatë kishin frikë se po të kishte ende plumba në pistoletë, ai mund t’i kishte qëlluar. Kamerat e bizneseve përreth si dhe një kamerë e vendosur në Rrugën e Elbasanit kanë fiksuar Xhuvanin si personin e vetëm që ishte veshur me tuta, teksa të gjithë të tjerët kishin veshur xhinse dhe ai hyri në lokal vetëm një herë dhe doli i përgjakur prej andej. Më tej, nga ekspertiza paraprake balistike e armëve të gjetura në vendin e ngjarjes rezulton se gjashtë gëzhojat e gjetura u përkasin plumbave të së njëjtës armë. Në dorën e Xhuvanit janë gjetur gjurmë baruti, nga qitja me pistoletë, ndërsa të tjerëve nuk u janë gjetur gjurmë. Duke i mbledhur bashkë të gjithë këto elemente, Prokuroria e Tiranës duket se është drejt një përfundimi zyrtar dhe versioni përfundimtar, mbi të cilën do të ngrejë akuzën për vrasje të katërfishtë, me një autor, Kostandin Xhuvanin. Për të plotësuar të gjithë dosjen me elementet e duhura, prokurorët po presin edhe përgjigjen e analizave toksikologjike nga Laboratori i Mjekësisë Ligjore. Janë administruar dëshmitë e prindërve të tij, në lidhje me vendndodhjen në harkun kohor të vrasjeve, si dhe janë pyetur të gjithë personat, të cilët Xhuvani pretendon se i ka kontaktuar në momentet kur ndodhi vrasja, duke i qëndruar alibisë se ishte jashtë ambienteve. Në përfundim të mbledhjes së të gjitha përgjigjeve të analizave, administrimit të dëshmive dhe nga ekspertizat e plota balistike, prokuroria pritet të ngrejë akuzën për katër vrasje, nga të cilat, dy mendohet se kanë ndodhur aksidentalisht, pasi Demiraj dhe Azola dyshohet se janë vrarë nga plumba rikoshet. Me ndryshimet ligjore, dënimi është jo më i vogël se 20 vite deri në burgim të përjetshëm.

Top Channel