Ligji i ri për pensionet e minatorëve

06/11/2014 00:00

Parlamenti miratoi projekligjin për pensionet e minatorëve, ndryshimet thelbësore të të cilit i bëri të ditura ministri Erion Veliaj.

“Projektligji për minatorët jo vetëm që ul moshën e daljes në pension me 5 vjet, nga 60 që është sot në 55 vjeç, por nga ana tjetër rrit përfitimet e të gjithë atyre ish-minatorëve, të cilët deri më tani kanë përfituar trajtim të veçantë financiar. Ish-minatorët, që sot përfitojnë 9,000 lekë trajtim të veçantë financiar do të shohin një rritje të madhe të të ardhurave të tyre, pasi falë këtij ligji rreth 75% e tyre do të përfitojnë pension në masën 14,474 lekë në muaj. Pjesa tjetër, si edhe ata minatorë që do të dalin me këtë ligj në pension, do të përfitojnë pensione mujore akoma edhe më të larta, edhe për shkak të viteve më të larta të punës, deri në masën 21,000 lekë në muaj. Të dyja këto shuma janë qartazi më të mëdha se sa 9 mijë lekëshi që kanë marrë nga viti 2001, viti i fundit pas të cilit janë privuar të tjerët të përfitonin nga ky kompensim i veçantë”, tha ministri i Punës, Erion Veliaj.

Në kundërpërgjigje të deklarimeve të opozitës, se nga projektligji përfitojnë vetëm 150 individë, Erjon Veliaj publikoi listën e 3840 minatorëve që përfitojnë.

“Që secili prej këtyre 3840 minatorëve të ketë akses te lista e vet, dhe sigurisht edhe një kopje për Partinë Demokratike. Nëse ishin 150 vetë, kishin 8 vjet kohë për ta zgjidhur. Fakti që nuk e zgjidhi dot për aq vite, në fakt flet keq për ta, jo për ne”, shtoi ministri Veliaj.

Në emër të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla vuri theksin në një tjetër tregues.

“Ata minatorë që do të dalin me këtë ligj në pension, do të përfitojnë pensione mujore ende më të larta, deri në masën 21 mijë lekë në muaj. Me këtë projektligj, 3680 persona nuk do të përfitojnë më trajtim të veçantë financiar, por do të përfitojnë pension pleqërie, çka do të thotë se barra prej 435 milionë lekësh në buxhetin e shtetit nga trajtimi i veçantë financiar do të hiqet”, theksoi deputeti Taulant Balla.

Mazhoranca hodhi poshtë deklarimet e opozitës për mungesë të konsultimit të projektligjit me minatorët dhe sindikatat, kur tha se drafti ka marrë madje edhe mbështetjen e atyre sindikatave që janë të njohura për afërsinë me të djathtën.

Top Channel