SHBA, votuesit të zhgënjyer

06/11/2014 00:00

Atë, që republikanët nuk e arritën në zgjedhjet e mesit të mandatit në vitin 2010 dhe 2012, e realizuan në përpjekjen e tretë: kontrollin mbi dy dhomat e Kongresit amerikan.

Që në fillim, dukej se shenjat ishin të favorshme. Një demokrat në Shtëpinë e Bardhë, popullariteti i të cilit ka rënë tashmë pothuajse në nivelin e George Ë. Bush; një kalendar i përshtatshëm zgjedhjesh për republikanët, që parashikonte zgjedhjen e senatorëve në shumë shtete me orientim politik konservator; dhe tendenca tashmë tradicionale e votuesve për të ndëshkuar partinë e Presidentit në zgjedhjet e mesit të mandatit.

Të gjitha këto së bashku përbënin një bazë solide për suksesin e madh elektoral të së ashtuquajturës “Grand Old Party”. Optimistët ndoshta besojnë ende se pushteti i rifituar i republikanëve në Kongres do të bëjë që ata, më në fund, të ndryshojnë qëndrim dhe të bashkëpunojnë me Presidentin, në vend që të përpiqen për bllokimin e çdo iniciative të Shtëpisë së Bardhë.

Më shumë se sa tek axhenda shumëngjyrëshe e republikanëve, triumfi i tyre në këto zgjedhje i detyrohet zhgënjimit të votuesve nga Presidenti i tyre. Popullariteti i ulët i tij është një nga shkaqet kryesore të disfatës demokrate, por edhe tregues i një tjetër faktori jo aq të sipërfaqshëm sa të tjerë: amerikanët janë ngopur me të gjithë politikanët e tyre.

Lodhja dhe zhgënjimi nuk ka të bëjë vetëm me të ulurin në krye të Shtëpisë së Bardhë. Njeriu, që brenda natës u vesh me super pushtet, udhëheqësi i ri i Senatit Mitch McConnell, duhet të ndërgjegjësohet, thonë ekspertët, se atëherë kur në lojë të mos jetë vetëm dhoma e lartë e Kongresit, por edhe vetë Presidenca amerikane, votuesit mund t’i kthejnë shpinën edhe partisë së tij.

Anketimet e realizuara ditën e zgjedhjeve në rang kombëtar tregojnë një elektorat të pakënaqur me Barack Obaman por edhe me partinë në opozitë.

– 59% e të intervistuarve u shprehën të zhgënjyer ose të zemëruar me administratën Obama,
– 60% janë zhgënjyer ose të zemëruar me liderët republikanë në Kongres,
– 53% kanë opinion jo të favorshëm për partinë demokrate, dhe
– 54% kanë po të njëjtin opinion jo pozitiv për republikanët.

Top Channel