Londër, banorët: Të ulet çmimi i karburanteve

06/11/2014 00:00

Përdoruesit e automjeteve në Britani kanë gjithë të drejtën të presin ulje çmimi në pikat e karburantit kur ka rënie të kuotimit të arit të zi.

Kreu i Thesarit, Danny Alexander, i cituar nga e përditshmja “Daily Mail”, ka paralajmëruar furnizuesit e naftës në Mbretërinë e Bashkuar se veprimet e tyre do të monitorohen dhe se duhet të garantojnë që konsumatorët të përfitojnë nga uljet e çmimit.

Ministri liberal-demokrat pritet ta bëjë publike atë që gazeta e përshkruan si “indinjatën e tij” ndaj dyshimit se kompanitë i mbajnë çmimet e karburanteve të larta edhe pa qenë nevoja.

“Do t’iu shkruaj lojtarëve të mëdhenj të përfshirë në shpërndarjen dhe shitjen e naftës e benzinës dhe do t’iu kërkoj garanci se po bëjnë ç’është e mundur që prej uljes së çmimit të përfitojnë të gjithë. Kur bie çmimi i naftës bruto, atëherë konsumatorët kanë çdo të drejtë të presin që kjo rënie të ndihet në peshën e një guri e jo të një puple”, deklaroi Alexander.

Ai shton se veçanërisht në kushtet aktuale ekonomike, lëvizja e çmimit nuk mund të kalojë pa u ndjerë nga publiku.

Njerëzit aktualisht dyshojnë se kur ka rritje të kuotimit të arit të zi, çmimi në pika karburanti pëson rritje të menjëhershme, por nuk ndodh e kundërta kur në tregje ndodh ulja e tij. Nëse ky dyshim vërtetohet, thotë ministri britanik, atëherë ka vend për indinjatë dhe për veprim.

Zyra e shkeljeve të rënda, sipas “Daily Mail”, aktualisht është duke verifikuar të gjitha pretendimet se kompanitë e naftës i kanë zhvatur drejtuesit e automjeteve nëpërmjet marrëveshjeve për të fiksuar çmimet.

Top Channel