Premiera e dokumentarit “Beteja jonë”

06/11/2014 00:00

U shfaq në Durrës premiera kombëtare e dokumentarit “Beteja jonë”, të realizuar nga gazetarja Monika Stafa dhe “Digitalb”, në kuadër të 70-vjetorit të Çlirimit.

Dokumentarin, që sjell fakte dhe dokumente të reja mbi rezistencën shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore, aq shumë të diskutuar pas vitit ’90, u prezantua nga konsulentja shkencore Sonila Boçi.

“Ka kaluar kjo histori nga ai mistifikim ekstrem gjatë viteve të regjimit komunist, glorifikim do ta quaja, deri në një mohim total të disa qarqeve të caktuara në periudhën e pas viteve ’90. Sigurisht që debati vazhdon, ka qëndrime ekstreme edhe sot e kësaj dite, megjithatë rezistenca shqiptare gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, mendojmë ne të gjithë që kemi realizuar këtë dokumentar, është nga ato ngjarje që gjithsesi i bëjnë nder Shqipërisë”, u shpreh historianja Sonila Boçi.

Prefekti i Qarkut të Durrësit, Roland Xhelili, falënderoi “Digitalb”-in dhe realizuesit e këtij filmi dokumentar, që pranuan ta shfaqnin atë fillimisht në Durrës, qytetin nga nisi rezistenca shqiptare ndaj pushtuesit fashist.

“Më 14 Nëntor ne festojmë 70-vjetorin e çlirimit të qytetit të Durrësit, 2 ditë më pas atë të çlirimit të Shijakut, më 26 Nëntor festojmë 102-vjetorin e ngritjes së flamurit në Durrës, e më pas vazhdojmë me 28-29 Nëntorin, dy ngjarje të rëndësishme të këtij viti jubilar”, deklaroi Roland Xhelili, Prefekt i Qarkut të Durrësit.

Gazetarja Monika Stafa solli para të pranishmëve, në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, arsyet profesionale dhe personale që e nxitën drejt këtij realizimi, që është bërë pjesë e kalendarit të aktiviteteve për 70-vjetorin e Çlirimit.

“Nuk kisha dëgjuar ndonjëherë më parë, qoftë në Perëndim apo edhe në Lindje të asaj bote që unë dua, një përbaltje të tillë për luftën dhe betejën e mijëra të rinjve e të rejave që braktisën shkollat e bukura të Romës, lulet e mira të Firences, sallonet e parfumosura të Parisit, shtratin e gjerë të lumit ‘Po’, apo kudo ku ata ishin në Perëndim, për t’iu bashkuar një ideali të vetëm: Çlirimit të vendit. Një ideologji utopiste, që ashtu siç lindi, po ashtu edhe degradoi sistemin që ndau dy botët”, tha gazetarja Monika Stafa.

Veteranja 87-vjeçare Misaret Imeraj, partizanja që u përjetësua në rolin e Lilo Labes në filmin “Malet me blerim mbuluar”, përcolli mjaft emocione në sallë.

“Si njëra nga partizanet e luftës, madje edhe në vijat e para të saj, ku dhe mbeta invalide, e plagosur rëndë shumë, të shpreh mirënjohjen më të thellë për 70 mijë partizanët që bënë atë luftë vendimtare për çlirimin e vendit”, tha Misaret Imeraj, veterane e LANÇ-it.

Dokumentari u mirëprit nga qytetarët durrsakë të grupmoshave të ndryshme, që mbushën sallën.

Top Channel