SHBA, hetime për një nga “rrethi i ngushtë” i Putinit

06/11/2014 00:00

Prokurorët amerikanë kanë nisur një hetim për pastrim parash ndaj një anëtari të rrethit të ngushtë të Presidentit rus Vladimir Putin, raportoi “Wall Street Journal” gjatë së mërkurës, duke cituar njerëz që kanë njohuri mbi këtë çështje.

Sipas raportit, Zyra e Prokurorit amerikan për Qarkun Lindor të Nju Jorkut është duke hetuar nëse tregtari miliarder i gazit rus, si dhe ortak i Putinit, Gennady Timchenko ka transferuar sasi të konsiderueshme parash në lidhje me marrëveshjet e dyshuara për korrupsion në Rusi, përmes sistemit financiar amerikan. Më tej thuhej se edhe Departamenti i Drejtësisë është duke ndihmuar në këtë hetim.

Zyra e Prokurorit dhe Departamenti i Drejtësisë nuk mund të japin asnjë koment jashtë orarit zyrtar të punës në SHBA.

Prokurorët po hetojnë transaksione, në të cilat grupi “Gunvor”, një firmë artikujsh të përdorimit të gjerë e themeluar nga Timchenko, bleu “Rosneft”-in, firmë nafte në Rusi, e më pas e shiti atë te palë të treta, sipas raportimit të gazetës.

“Gunvor” bëri të ditur për “Reuters” se nuk ka qenë kurrë ndërmjetëse mes një blerësi dhe një shitësi, ashtu sikurse “natyrshëm as për Rosneft-in. Ky është një fakt i pasaktë i tyre, pasi ne nuk kemi punuar kurrë në këtë mënyrë, e nuk do ta bëjmë kurrë diçka të tillë”.

“Gunvor” bëri të ditur gjithashtu se ende nuk është njoftuar mbi ndonjë hetim që ka përfshirë kompaninë. “Kompania është përfshirë në një betejë politike, ndaj dhe nuk mund të komentojmë mbi ndonjë hetim ndaj Timchenkos”, tha ajo.

Zëdhënësi i Timchenkos refuzoi të fliste mbi këtë ngjarje, duke thënë se më vonë gjatë ditës pritet një deklaratë e tij.

Sipas raportit, transaksionet paraprinë sanksionet amerikane kundër Rusisë të vendosura në mars ndaj Timchenkos dhe figurave të tjera për shkak të krizës në Ukrainë. Timchenko është gjithashtu bashkëpronar i prodhuesit të dytë më të madh të gazit në Rusi, “Novatek”.

Transferimet e parave të lidhura me transaksionet e mësipërme, mund të përbëjnë veprën penale të pastrimit të parave, nëse fondet vërtetohen ta kenë origjinën nga aktivitete të paligjshme si shitjet e parregullta të aseteve shtetërore, si nafta, gazetat, etj.

Top Channel