Putin: Asgjë e keqe nga pakti mes Hitlerit dhe Stalinit

06/11/2014 00:00

Presidenti rus Vladimir Putin po shfrytëzon ngjarjet e mëdha historike të Rusisë për të rritur dhe forcuar pushtetin e tij autoritar.

Ky është këndvështrimi i kritikëve ndaj lëvizjeve të fundit të shefit të Kremlinit, i cili në një takim me studentë në Moskë lëshoi një tjetër deklaratë që ndoshta do të analizohet gjatë në Perëndim.

“Nuk ka asgjë të keqë në paktin mes Bashkimit Sovjetik dhe Nazistëve. Çfarë të keqe ka të mos duash luftën? Bashkimi Sovjetik nuk e dëshironte luftën dhe kjo ishte në paktin e nënshkruar Molotov-Ribbentrop”, deklaroi ai.

Me këtë frazë Putin bie ndesh me një deklaratë të lëshuar në vitin 2009, kur u shprehte se pakti mes nazistëve dhe komunistëve ishte “imoral”.

Mjafton kjo frazë për të kuptuar njohuritë sipërfaqësore të Putin sa i përket historisë, ose më e pakta bëhet fjalë për  një deklaratë e hedhur me dashje.

Pak muaj para nisjes së Luftës së Dytë Botërore, Gjermania naziste dhe Bashkimi Sovjetik nënshkruan një pak ku zotoheshin për të mos sulmuar njëra-tjetrën. Deri këtu gjithçka është në rregull, por pjesa e fshehtë e paktit të nënshkruar nga Ministri i Jashtëm sovjetik i asaj kohe, Molotov dhe homologu i tij nazist Ribbentrop, dhe që Putin “nuk e di” ose e shmang me dashje, parashikonte ndarjen e zonave të influencës në Europën Lindore.

Finlanda, Estonia, Lituania, Letonia, Rumania dhe Polonia ishin zonat e influencës që u ndanë gjysmë për gjysmë mes Moskës dhe Berlinit. Pak kohë më vonë do të nisnin masakrat fillimisht në Poloni. Rusët ekzekutuan rreth 20 mijë oficerë polakë, ndërsa gjermanët me fushatën e tyre ekzekutuan në vitet në vazhdim 3 milion hebrenj.

Pavarësisht gjithë këtyre fakteve, për Putin fajtorët e vërtetë të Luftës së Dytë Botërore janë Franca dhe Britania të cilat në vitin 1938 nëpërmjet paktit të Mynihut të nënshkruar me Gjermaninë i lanë dorë të lirë Hitlerit për të zhvilluar një ushtri të fuqishme.

Megjithatë, më shumë se sa naiviteti, deklarata shihet si pjesë përbërëse e përpjekjeve të Putin për të forcuar autoritetin e tij. Muajt e fundit, sidomos pas krizës në Ukrainë në gjithë Rusinë janë rritur ndjeshëm aktivitetet në përkujtim të ngjarjeve historike, ndërkohë që gjuha e televizionit shtetëror është ashpërsuar ndaj Perëndimit.

“Ata (Perëndimi) pasi dështuan me përpjekjet për të na imponuar qendrimet e tyre sa i përket së drejtës ndërkombëtare, së fundmi ndërmorën të ashtuquajtura sanksione”, është fraza e shkëputur nga një edicion lajmesh i televizionit shtetëror.

Top Channel