Haga, asnjë akuzë Izraelit për “Mavi Marmara”

06/11/2014 00:00

Kryeprokurorja e Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve, në Hagë, ka bërë të ditur se nuk do të ndërmarrë asnjë hetim ndaj bastisjes vdekjeprurëse të ushtarëve izraelitë ndaj një anijeje me ndihma me destinacion Gazën në vitin 2010.

Fatou Bensouda e deklaroi këtë, pavarësisht “se ekziston një bazë e arsyeshme për të besuar se janë kryer krime lufte në anijen Mavi Marmara”. Sipas saj, Gjykata e Hagës (ICC) duhet të prioritizojë krimet e luftës të kryera në shkallë të gjerë.

Nëntë aktivistë turq janë vrarë në bordin e asaj anijeje, e cila po përpiqej të thyente bllokadën e vendosur nga Izraeli ndaj territorit të kontrolluar prej Hamasit. Në të njëjtin incident, 10 ushtarë izraelitë u plagosën, një situatë që shkaktoi një çarje të thellë mes Izraelit dhe Turqisë, dikur vende aleate.

Bensouda tha se nuk dëshiron të pakësojë “impaktin e krimeve të dyshuara të kryera ndaj viktimave dhe familjarëve të tyre”, por shtoi se ajo ka për detyrë të udhëhiqet nga Statuti i Romës, traktati themelues i ICC-së.

“Kam dalë në konkluzionin se çështja e mundshme që mund të lindë nga një hetim mbi këtë incident, nuk do të jetë i “rëndësisë së mjaftueshme” për të justifikuar veprime të mëtejshme nga ICC”, tha ajo në një deklaratë.

Bensouda i është referuar raportimeve mbi hetime të ndryshme që janë ekzaminuar në të kaluarën mbi këtë incident, përpara se të merrte vendimin e saj.

Top Channel