Akuzat për korrupsion, Meucci në Bruksel

06/11/2014 00:00

Shefi i misionit EULEX, Gabriele Meucci ka përfunduar vizitën e tij në Bruksel, ku ka diskutuar mbi siuatën e krijuar brenda misionit pas akuzave publike për korrupsion.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë misioni për sundimin e ligjit përmes një komunikate për shtyp, ku thuhet se në Bruksel zoti Meucci ka zhvilluar konsultime me përfaqësuesit e Shërbimit Evropian për Veprimet me Jashtë.

Sipas njoftimit, në këtë takim Meucci është shprehur i gatshëm dhe i pëkushtuar për të bashkëpunuar me ekspertin e pavarur që do të hetojë akuzat për korrupsion.

Vendimi për caktimin e një eksperti të pavarur u mor nga Përfaqësuesja e Lartë e BE, Federica Mogherini, për të shqyrtuar zbatimin e mandatit të misionit EULEX.

“Shqyrtimi i jashtëm, i hapur dhe transparent është një hap i rëndësishëm drejt kthimit të besimit të ndërsjellë ndërmjet EULEX-it dhe partnerëve tanë. Ky shqyrtim është në interesin më të mirë për të gjithë. Unë ritheksoj zotimin tim personal për të aplikuar politikën e tolerancës zero ndaj korrupsionit gjatë udhëheqjes sime”, citohet Meucci në komunikatën e shpërndarë nga zyra e EULEX në Kosovë.

Top Channel