Mbetjet spitalore përfundojnë në kazanë publikë

06/11/2014 00:00

“Këto kosha nuk janë aspak vendi ku duhet të përfundojnë mbetjet spitalore, përfshi spitalet publike dhe ato private. Të gjitha subjektet që prodhojnë këto lloj mbetjesh kanë detyrim ligjor të kontraktojnë kompani të trajnuara dhe të specializuara për trajtimin e mbetjeve spitalore”.

“Mbetje spitalore” janë mbeturinat e krijuara nga spitalet, poliklinikat, qendrat shëndetësore, kabinetet mjekësore, klinikat mjekësore dhe dentare, laboratorët dentarë, qendrat e diagnostikimit, depot farmaceutike, farmacitë, qendrat e kozmetikës, qendrat e tatuazhit, qendrat e rehabilitimit nga droga, laboratorët e shëndetit publik, institucionet kërkimore-shkencore, banka e gjakut, morget, shërbimet funerale, klinikat veterinare, shërbimet ambulatore të infermierisë që vizitojnë pacientë në banesa.

Rregullorja e vendimit të Këshillit të Ministrave “Për administrimin e mbetjeve spitalore” parashikon që rreziku i tyre duhet minimizuar në burim. Ato duhet të ndahen, të grumbullohen, të transportohen, të depozitohen dhe asgjesohen në kushte të veçanta, me qëllim shmangien e rrezikut të kontaminimit prej tyre.

“Ne kemi bërë një vëzhgim në disa prej spitaleve kryesore të kryeqytetit, publike dhe private, dhe rezulton se situata është shumë alarmante. Mbetjet spitalore përfundojnë të patrajtuara në koshat publikë”.

Të mbushura plot me të tilla mbetje rezultojnë koshat në Maternitetin “Koço Gliozheni”.

Gazetarja: Këtu është vendi ku hidhen plehrat e spitalit të Senatoriumit?
Gruaja pranë koshit: (miraton me kokë)
Gazetarja: Të gjitha mbetjet e të gjithë spitalit?
Gruaja pranë koshit: (miraton sërish me kokë)
Gazetarja: Po ti punon këtu apo ke dalë për të kërkuar ndonjë gjë?
Gruaja pranë koshit: Është kjo këtu, ka atje matanë… Këtu është urgjenca.
Gazetarja: Po ti punon, apo po shfrytëzon rastin…?
Gruaja pranë koshit: Jo, jo. Mbledhim bidona. Po këtu janë të gjitha spitalet.
Gazetarja: Ka ilaçe, shiringa të hedhura këtu në këto kazanë me plehra?
Gruaja pranë koshit: Po, ka.
Gazetarja: Janë mbetje të spitalit?
Gruaja pranë koshit: Po, ja ku janë.
Gazetarja: Po ti nuk ke frikë se mos shpohesh?
Gruaja pranë koshit: Jo. Çfarë janë gjëra kështu me gjilpëra, i hedh andej matanë.
Gazetarja: I hedh andej matanë?!

Kamera e fshehtë e Pasdites ka vërejtur një pamje të ngjashme, këtë herë me mbetje të hedhura edhe jashtë koshave, pranë një spitali privat.

Situatë e ngjashme është edhe pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku veç mbetjeve të hedhura në koshë, shihen edhe kuti me të tilla mbetje jashtë tyre. Ashtu sikurse edhe te spitali universitar “Shefqet Ndroqi”, ku qentë e rrugëve vërtiten rreth tyre.

Gazetarja: Ju jeni sanitare?
Sanitarja: Po.
Gazetarja: Po të gjitha mbetjet e spitalit këtu i hidhni?
Sanitarja: Jo, mbetjet e spitalit i hedhim atje.
Gazetarja: Po atje çfarë është?
Sanitarja: Është një…
Gazetarja: Autoklavë?
Sanitarja: Po. Jo, jo. Më duket se i marrin e i çojnë në një vend këto.
Sanitarja 2: Pse nuk i djegin ato?
Sanitarja: I merr makina ato.
Gazetarja: Dëgjo! Unë pashë aty edhe gjilpëra, age e shiringa. Ato nuk duhet të hidhen aty…
Sanitarja: S’ka mundësi.
Gazetarja: Po ja, është ajo kutia aty. Kutia aty në krye plot me shiringa, age e gjilpëra.
Sanitarja: Çfarë thua? Kot për kuriozitet do vete ta shoh.
Sanitarja 2: Ne mbetjet e spitalit i hedhim atje. Kemi një vend të caktuar atje.
Gazetarja: E shikon atë kutinë?
Sanitarja: Kjo këtu? Jo.
Gazetarja: Po shikoje atë të serumeve. Hajde shikoni shiringat e aget, në tokë të gjitha. Ja, më shiko mua këtu! Shikoji këtu! Shiringa, age…
Sanitarja: Po, atë e shikoj.
Gazetarja: Po s’duhet të jenë këtu ato. Shiko! Siç është shpuar individi, janë hedhur në tokë.
Sanitarja: Po, është e vërtet.
Gazetarja: Nuk duhen hedhur aty ato. Infektohen njerëzit.
Sanitarja: I ndajmë të gjitha më vete. Edhe të mjekimit, aget më vete, shiringat më vete…
Sanitarja: Unë s’e di kush mund ta ketë bërë këtë budallallëk. Ndonjë i papërgjegjshëm.

Edhe te Spitali i Traumës vërehet e njëjta panoramë.

Aktualisht në vend janë 10 subjekte të liçencuara për trajtimin e mbetjeve spitalore, prej të cilave 5 janë spitale shtetërore, 1 është i atashuar me një spital privat dhe është investim i këtij të fundit, dhe 4 janë kompani private.

Në rastet e spitaleve, ato trajtojnë vetëm një pjesë të kategorive të mbetjeve spitalore me mjetet e tyre, ndaj për pjesën tjetër ato kanë detyrim ligjor të kontraktojnë një prej kompanive private që merret me trajtimin e mbetjeve spitalore.

Top Channel